Ndërlidhjet

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, nga udhëheqësit politik në Maqedoni ka kërkuar që sa më shpejtë që është e mundur të arrijnë ujdi për arritjen e një marrëveshjeje që vendi të dalë nga kriza e thellë politike.

“Komentin e vetëm të cilin do ta bëja rreth krizës momentale është se shpresoj që liderët politik sa më parë ta zgjidhin atë. Vendi ka disa probleme dhe përderisa qeveria ndodhet në krizë pothuajse është pamundur që të vazhdohet kërkimi i zgjidhjeve për këto çështje".

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë konsideruar veten si mik të këtij vendi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të tillë”, është shprehur kongresisti amerikan Eliot Engel pas takimit që ka realizuar me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Ndryshe, kriza politike në Maqedoni ka qenë shtylla kryesore në të cilën është përqëndruar kongresisti amerikan, Eliot Engel, i shoqëruar me Ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Jess Baily.

Gjatë takimit me liderët politik shqiptarë në Maqedoni, Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH, ky i fundit ka deklaruar për mediat se zgjidhja e krizës politike mund të pritet gjatë javës së ardhshme.

“Çështja kryesore që na tangon neve shqiptarëve sigurisht se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n është debllokomi procesit integrues në Maqedoni".

"Unë gjatë bisedës me zotin Engel, dhash përshtypjet që kisha nga takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, fitova përshtypjen se ai ka qëndrime shumë radikale, dhe ramë dakord që këtë çështje në kuadër të bisedimeve për krizën politike ta rumbullaksojmë deri në fund”, ka theksuar Thaçi.

Por, menjëherë pas kësaj deklarate, lideri i partisë shqiptare në opozitë është përgënjeshtruar nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, e cila në një kumtesë për mediat ka theksuar se çështja e emrit nuk është në tryezën e bisedimeve mes katër liderëve politik.

Nga ana tjetër, në kumtesën e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, pas takimit që pati lideri i kësaj partie Ali Ahmeti me kongresistin amerikan Eliot Engel, Ahmeti ka theksuar se liderët politik duhet ta tejkalojnë vetën dhe të mendojnë për shtetin.

“Procesi i suksesshëm integrues relakson marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe mundëson paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme bashkë me zhvillim ekonomik”, nënvizohet në kumtesën e lëshuar për mediat të BDI-së.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se vizita e kongresistit amerikan duhet shikuar si një shtytje për arritjen e një ujdie mes katër liderëve politik si dhe jetësimin e marrëveshjes së dy qershorit për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Temellko Ristevski ligjërues i shkencave politike, thotë se Maqedonisë në këtë moment i nevojitet ndihmë më shumë se kurdoherë.

“Kryeministri Nikolla Gruevski është i vendosur të mbetet në krye të qeverisë sepse ai ka frikë nga ajo që do t'i ndodhë pasi të largohet nga pushteti, ai është i vetëdijshëm se zgjedhjet i ka fituar në bazë të pushtetit të fuqishëm që ka ushtruar", thekson Ristevski.

XS
SM
MD
LG