Ndërlidhjet

Asociacioni i komunave serbe, temë e vështirë


Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar si një prej temave më të vështira të dialogut me Serbinë, krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ky Asociacion duhet të jetë në harmoni me ligjet e Kosovës, përndryshe do të ishte jofunksional dhe i dëmshëm.

“Normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë është faktor i rëndësishëm, jo vetëm i së ardhmes evropiane të Kosovës, por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, ka shkruar Mustafa. Sipas tij, procesi është ende në fazën ku mbeten shumë çështje, të cilat duhet të dialogohen.

“Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër, pala serbe ishte insistuese që Asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që i kryejnë këto punë, të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”, ka potencuar kryeministri i Kosovës.

Çdo zgjidhje për këtë asociacion, që do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh, “jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën, por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Kosova, ka vijuar ai, mbetet e interesuar të gjejë zgjidhjen më të mirë, e cila ndihmon në integrimin e serbëve dhe u krijon atyre hapësirë zhvillimore dhe perspektivë jete.

“Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale, ato janë të rënda, sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tonë”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë ka pohuar gatishmërinë për takimin e radhës dhe për arritjen e marrëveshjeve me Kosovën, për temat e hapura, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Sa na përket neve, ne jemi gjithmonë gati t’i vazhdojmë bisedimet. Ne edhe herën e kaluar kemi qenë në Bruksel që të merremi vesh dhe jo që t’i shmangemi marrëveshjes dhe të mos nënshkruajmë diçka, por të arrijmë një marrëveshje që është e mirë për popullin tonë, si dhe të arrijmë marrëveshje që paraqet kompromis. Ne jemi të gatshëm që të arrijmë një zgjidhje kompromisi, por nuk jemi dhe nuk do të jemi të gatshëm që të marrim pjesë në poshtërimin e Republikës së Serbisë”, ka theksuar Vuçiq.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë vlerësuar se lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, palët do të detyrohen të arrijnë një kompromis.

Analisti i çështjeve politike, Dukagjin Gorani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se zgjidhja që do të arrihet ndërmjet kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e Asociacionit, do të jetë në kuptimin e ndërmjetëm, të një organizate joqeveritare dhe të një entiteti, i cili ka kompetenca më të zgjeruara publike.

Sipas tij, kompetencat e tilla që mund të interpretohen si publike, në fakt, ka të ngjarë që të jenë edhe ekzekutive në disa fusha të kufizuara shoqërore.

Qëllimi i çdo procesi negociator është kompromisi, e jo shtyrja e agjendës së njërës po tjetrës palë. Këto që flasin dy kryeministrat, të Serbisë dhe të Kosovës, opinioneve të veta, këto janë pozicione publike dhe punë koti. Meqenëse dita e vendimit po afrohet, deklarimet e tyre, nëse janë në disproporcion me atë që vendoset në Bruksel, atëherë vetëm se do ta vështirësojnë pozitën e tyre. Pra, një lloj kompromisi do të arrihet”, konsideron Gorani.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se pala e Kosovës është e gatshme për takimin e radhës me palën e Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel, të nivelit të kryeministrave. Sipas tyre, është në dorën e Bashkimit Evropian se kur do ta caktojë takimin e ardhshëm.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG