Ndërlidhjet

Referendumi që përcakton të ardhmen e Greqisë


Aleksis Tsipras në vendvotim
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Aleksis Tsipras në vendvotim

Të dielën qytetarët e Greqisë kanë votuar në referendumin për ta pranuar ose jo planin e liderëve evropianë për reforma fiskale, ç’gjë mund ta nxjerrë Greqinë nga eurozona.

Referendum i së dielës, është thirrur nga kryeministri grek, Alexis Tsipras, i cili u ka bërë thirrje votuesve që të votojnë kundër “frikës” dhe “terrorizmit” dhe të refuzojnë marrëveshjen e liderëve evropianë.

Por, frika se Greqia mund të humbë vendin e saj në eurozonë dhe në Bashkimin Evropian, duket se i ka shtyrë shumë votues që t’i thonë “po” kërkesës së evropianëve për reforma fiskale.

Gjatë ditës, Tsipas është shprehur “optimist” për rezultatet e referendumit teksa ka shkuar të votojë në një qendër votimi në Athinë.

“Shumë mund ta injorojnë vullnetin e qeverisë, por nuk mund ta injorojnë vullnetin e qytetarëve. Jam i bindur se ne nesër do të hapim një rrugë për të gjithë njerëzit në Evropë”, ka deklaruar Tsipras.

Kryeministri grek “luajti kumar” me të ardhmen e qeverisë së tij, kur mori vendim të ngutshëm për të thirrur referendum, duke insistuar se vota “jo”, do të forconte pozicionin e tij në negociatat për krizën e borxheve me liderët evropianë, pavarësisht paralajmërimeve të këtyre të fundit se do të ndodhë e kundërta.

Nëse humb, Tsipras është zotuar se do të largohet nga qeveria dhe do të lejojë që një përbërje e re qeveritare të marrë përsipër detyrën e vështirë të shkurtimit të shpenzimeve, të cilat Bashkimi Evropian i kërkon në këmbim të kredive të reja, që do t’i ndihmonin Greqisë, e cila ka një borxh prej 300 miliardë dollarësh.

Publiku i zemëruar në Greqi, pas sa vjetësh i zhytur në recesion, është detyruar që të vuajë në javët e fundit nga kontrollet e kapitalit që po i bën shteti, me qëllim që të parandalojë kolapsin e sistemit bankar, pasi që Tsipras refuzoi marrëveshjen e liderëve evropianë.

“Ka një atmosferë të frikës. Ne, thjesht, e ndjemë një gjë të tillë”, tha Sarafinos Giorgos, një mësues 60 vjeçar nga Athina, duke treguar se vota e tij është në favor të planit të Evropës.

Ëvagenia Bouzala, e lindur në Gjermani, por me origjinë greke, tha se ajo e konsideron mundësinë që të mbyllë biznesin e saj të vajit të ullirit, për shkak të trazirave financiare në vend.

“Nuk mendoj se mund ta vazhdoj punën. Shiko se çfarë ndodhi në këto tre ditët e fundit. Imagjino se si do të jetë në 6 muajt e ardhshëm”, tha ajo, duke iu referuar mbylljes së bankave, kufizimit të tërheqjes së parave nga bankat dhe shumë vështirësive të tjera financiare, me të cilat Greqia është përballur gjatë kësaj jave.

“Vota ‘po’ do të sillte një qeveri kujdestare, e cila me gjasë do të jetë më e mirë. Ne duhet të nisim nga e para”, tha Bouzala.

Fushata para referendumit janë mbajtur në 10 qytetet më të mëdha greke, të cilat janë përcjellë me një retorikë të ashpër.

Një sërë sondazhesh të publikuara thonë se shumica e njerëzve - rreth 75 për qind - dëshirojnë që Greqia të mbetet në eurozonë. Ky mendim i opinionit jep shpresë për një triumf të votës “po”, ndërkaq liderët evropianë kanë paralajmëruar se vota “jo” është votë për daljen nga eurozona. (m.sadiku)

XS
SM
MD
LG