Ndërlidhjet

“Jo” bindëse në referendum, tërhiqet Varoufakis

  • RFE /RL

Greqia ka hyrë në një terren të panjohur dhe në paqartësi për të ardhmen në eurozonë, pasi votuesit në referendumin e së dielës, në mënyrë bindëse i refuzuan kërkesat e kreditorëve ndërkombëtarë, për më tepër masa të kursimit në këmbim për ndihmë financiare për ekonominë në falimentim.

Pasi u llogaritën 100% të votave, trezultatet tregojnë se 61% votuan “Jo”, ndërsa “Për” ishin 39%.

Ministri i financave i Greqisë, Yanis Varoufakis, ka paraqitur dorëheqje, megjithëqë qeveria ka arritur fitore bindëse në referendumin për përgjigje ndaj kreditorëve ndërkombëtarë.

Në një deklaratë sot në mëngjes, zoti Varoufakis tha se kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka vlerësuar se dorëheqja e tij “ndoshta do të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes” dhe se për këtë shkak largohet nga ministria.

Ai ka theksuar se vendimi u bë për shkak të “preferencave nga disa pjesëmarrës evropianë dhe partnerët e përzier për mospraninë time në takimet” e tyre, dhe ka shtuar se “referendumi i 5 korrikut do të mbetet në histori si moment unik kur një vend i vogël evropian ngritet kundër varësisë nga borxhet”.

Ky referendum, i pari në këtë vend në më tepër se katër dekadat e fundit, u organizua derisa në Greqi ka kufizime të ashpra financiare, të imponuara javën e kaluar, për shkak se Athina nuk ishte në gjendje ta paguajë shumën prej 1.7 miliardë euro që ia kishte borxh Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Mijëra mbështetës të qeverisë e kanë festuar rezultatin e në Sheshin Syntagma në Athinë, në mbrëmje të së dielës, përkundër faktit se dështimi për arritjen e marrëveshjes me kreditorët mund të shkaktoj dalje të Greqisë nga eurozona.

Disa nga mbështetësit e qeverisë në Athinë ishin mbështejllë me flamurin e Greqisë, ndërsa të tjerët hidhnin fishekzjarrë mbi një fontanë të ngjyrosur në të kaltër.

Shumë njerëz mbanin edhe flamuj me shenjën “Jo”.

Referendumi ishte organizuar nga qeveria e kryeministrit, Alexis Tsipras, politikan i krahut të majtë, i cili kishte kërkuar nga votuesit që të votojnë kundër “frikës”dhe “terrorizmit” duke e refuzuar planin e liderëve evropianë, pas gjashtë viteve të recesionit në Greqi.

Pas referendumit, Tsipras tha se grekët kanë votuar për “Evropën e solidaritetit dhe demokracisë”.

“Prej të hënës, Greqia do tu kthehet negociatave dhe prioritet kryesor është ripërtërirja e stabilitetit financiar të vendit”, tha Tsipras gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion.

Qeveria e Greqisë ka thënë se tash do të shtohen përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për hua me kreditorët.

Ministri i financave i Greqisë, Yanis Varoufakis, i cili dha dorëheqje, është shprehur në mënyrë kritike për negociatat e deritashme me kreditorët.

“Për fat të keq, këta pesë muaj, siç është dëshmuar, kreditorët na i mohuan çfarëdo negociata gjithëpërfshirëse. Prej fillimit ata kishin planifikuar t’i mbyllnin bankat tona, në mënyrë që të na keqtrajtojnë në dy fronte: në atë të masave të kursimit dhe të borxheve të pazbatueshme".

"Ata, fundamentalisht, dëshironin të na imponojnë pendim për kritikat që ne u kemi bërë për programet e dështuara të kredisë, kur ne filluam, për të parën herë në takimin e eurogrupit, duke arsyetuar në mënyrë shkencore. Nga ata nuk ka pasur përgjigje. Ky ishte qëllimi i tyre në ultimatumin e 25 qershorit, të cilin tash populli grek e ktheu te dërguesi”, tha Varoufakis para gazetarëve.

Por, politkbërësit e vendeve anëtare të eurozonës kanë tërhequr vërejtjen se vota “Jo” do ta bëjë të vështirë punën e Bankës Qendrore Evropiane, që huamarrësve grekë t'u ofrojë ndihmë financiare.

Ligjvënësi i njohur i konservatorëve gjerman, Michael Fuchs, ka thënë se Tsipras ka shkaktuar “shkatërrim”.

“Nuk ka gjasë që zgjidhja të arrihet brenda 48 orëve”, ka thënë Fuchs, raporton agjencia Reuters.

Zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane kanë thënë se negociatat për kredi të reja “është vështirë të imagjinohen” pas votës “Jo”.

Mediat greke kanë raportuar se Banka e Greqisë do të kërkoj një ndihmë emergjente nga Banka Qendrore Evropiane prej 6.6 miliardë dollarësh.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG