Ndërlidhjet

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, sipas të dhënave preliminare ka evidentuar rreth 900 familje të cilat nuk kanë strehim adekuat.

Por, për të gjitha këto familje të varfra Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar mundësinë t’iu siguroj strehim.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar se janë duke punuar në një raport, i cili fillimisht do të identifikojë familjet të cilat nuk kanë strehim adekuat dhe me pas të gjinden mundësitë për ndërtimin e shtëpive.

“Kemi filluar një studim të fizibilitetit apo raport për numrin e familjeve në tërë territorin e Kosovës që nuk kanë strehim adekuat dhe më pas të shikojmë cilat janë mundësitë që t’i përkrahim ato. Kemi marr disa të dhëna preliminare nga partnerët tanë, por që ky raport ende vazhdon dhe do të merr kohe. Të dhënat e para tregojnë se janë 800 deri 900 familje që nuk kanë strehim adekuat për rrethana të ndryshme”, ka theksuar Abrashi.

Ministri Abrashi ka bërë të ditur se janë duke bërë disa para përllogaritje se sa mund të kushtojë ky projekt gjithëpërfshirës për strehimin e këtyre familjeve.

Gjetja e fondeve për ndërtimin e shtëpive apo banesave kolektive për këto familje ende nuk është finalizuar, por që sipas Abrashit ekzistojnë disa opsione.

“Pasi të kryhet ky raport i fizibilitetit ne do të fillojmë gjetjen e fondeve. Një formë e sigurimit të këtyre fondeve është loboimi për mjete financiare brenda buxhetit aktual të vendit, forma e dytë është të shikojmë mundësinë e fondeve nga donatorëtdhe mundësia e tretë është përmes një kredi të butë që mund ta marrim përmes këtij projekti që ka të bëjmë ndërtimin e këtyre shtëpive apo banesave kolektive”, ka theksuar ai.

Qytetarët me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë ndihmohen edhe nga Kryqi i Kuq i Kosovës.

Antigona Sopjani nga kjo organizatë humanitare i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë rreth 17 mijë familje të cilat përkrahen kokë pas kohë.

Ajo tregon se gjendja më e rëndë sociale është tek familjet të cilat nuk kanë strehim, ku siç tregon ajo, ka familje të cilat jetojnë ende në tenda.

“Këto familje kanë nevojë qysh prej të gjitha gjërat duke filluar nga ato elementare për jetë, ushqim dhe veshmbathje për fëmijët. Por, rastet më të rënda janë ato që nuk kanë strehim të vetin dhe jetojnë në ambient të hapur, ka raste që jetojnë edhe në tenda të improvizuara”, ka shtuar ajo.

Numrit të madh familjeve që nuk kanë strehim, shton Sopjani iu kanë bashkuar edhe disa familje të cilët se fundi kanë migruar në vendet evropiane e të cilat janë kthyer në Kosovë.

Këto familje shton ajo, nuk kanë strehim tani, pasi që kur migruan shitën shtëpitë apo pronat e tyre.

“Sa i përket sigurimit të strehimitne si Kryq i Kuq nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim për shkak të kapaciteteve të vogla financiare. Sa i përket shpërndarjes së artikujve ushqimor dhe higjenik ne mundohemi që varësisht nga donacionet që i kemi të kohë pas kobshme dhe aktiviteteve humanitare t’iu ndihmojmë këtyre familjeve”, tregon Sopjani.

Kosova përgjatë viteve të fundit është ballafaqua me probleme të mëdha sociale Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në listën e asistencës sociale në muajin janar të këtij viti kanë qenë 27,280 familje.

Shuma e mjeteve të asistencës sociale fillon nga 40 deri në 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG