Ndërlidhjet

Maqedoni: Shtyhet seanca dëgjimore për rastin "Monstra"


Gjykata e Apelit në Maqedoni, ka anuluar seancën publike ku duhej të shqyrtohen ankesat e ngritura nga 6 të akuzuarit për rastin “Monstra” dhe avokatët e tyre, me ç'rast gjykatësja Jasna Ivanova ka caktuar mbajtjen e seancës së rradhës më 11 shtator.

Për avokatin mbrojtës të gjashtë të të akuzuarve për rastin "Monstra" Naser Raufi, është e pa kuptimtë arsyeja e anulimit të seancës dëgjimore për shkak të mos prezencës e të dënuarve Haki Aziri dhe Agim Ismailloviq në gjykatë.

“Mua më habit periudha kohore e anulimit për 11 shtator, ndërkohë që ka pasur shumë mundësi që anulimi të bëhej brenda këtij muaji. Siç e dini për lëndët që kanë të bëjnë me paraburgimin, nuk vlen pauza e pushimeve verore", është shprehur Raufi.

Ndërsa, familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra” thonë se mospërfillja bëhet për arsye politike.

“Shumë e qartë është se me këtë rast po taktizohet dhe secili tenton të ruaj shpinën e vet, sepse ata në gjykatë e dinë tanimë se ai që komandonte në inskenimin e këtij rasti ka humbur fuqinë".

"Sidoqoftë ky rast është politik dhe i montuar. Pikërisht ky rast ka të bëjë me situatën politike, ngjarjet aktuale në Maqedoni. Informatat tona thonë se edhe trupi gjykues do të merrte një vendim mbase më korrekt sikur të kishte informacionet të cilat i posedon opozita maqedonase", është shprehur Bedri Ajdari vëllau i njërit nga të akuzuariy.

Ndryshe, lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev në shumë prononcime për mediat ka premtuar se do të shpalosë dëshmitë që kanë të bëjnë me këtë rast, sipas të cilit ka gjasë se rasti në fjalë është i montuar politikisht, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike konsideojnë se rasti "Monstra", paraqet pikën më kritike “ku do të thyhen shtizat” për të çliruar gjyqësorin nga politika dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit gjyqësorë.

Xhelal Neziri analist politik, thotë se kalkulimet për rastin "Monstra" nga kushdo që mund të bëhen, janë të patolerueshme.

“Mungesa e guximit nga ana e zotit Zaev që t'i publikojë këto "bomba" në një farë mënyre edhe atë e bën si bashkëfajtorë në tërë këtë rast misterioz, dhe në rast se këta njerëz mbahen në burg duke qënë të pafajshëm siç ishte rasti me të dënuarit e rastit të “Sopotit”, atëherë dhe lideri i LSDM-së do të bartë përgjegjësi sepse ka pasur në dorë të vërtetën dhe nuk e ka publikuar", thekson Xhelal Neziri.

Ndryshe, gjashtë shqiptarë u dënuan me burg të përjetshëm nën akuzën se janë autorë të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas në afërsi të liqenit të Smillkovcës më 11 prill të vitit 2012.

Ky krim, i emëruar si rasti “Monstra”, brenda tre viteve të fundit ka shkaktuar më shumë tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, si organizimin e shumë protestave, meqë kjo vepër nga ana e qeverisë u klasifikua si akt terrorist.

XS
SM
MD
LG