Ndërlidhjet

Mustafa: Gjykatë Speciale dhe zbardhje e vrasjeve të pasluftës


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur se qeveria që ai drejton do të procedojë për herë të dytë në Kuvend amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, të cilin deputetët e kishin rrëzuar në votimin e seancës së 26 qershorit.

Ndonëse nuk ka folur për afatin se kur mund të ri-procedohet ky amendament dhe në çfarë forme ligjore, Mustafa ka shprehur besimin e tij që Kosova të përmbushë këtë obligim që ka marrë përsipër para bashkësisë ndërkombëtare.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një akademie përkujtimore kushtuar të rënëve për lirinë e Kosovës në betejën e Loxhës.

Kryeministri i Kosovës është shprehur më se i bindur që votimi i 26 qershorit nuk ishte një kurdisje politike për dështimin e Gjykatës Speciale pasi që deputetët votuan “sipas vullnetit të tyre”.

Por, përkundër këtij vullneti, Mustafa u ka bërë thirrje deputetëve që të kalojnë mbi veten dhe të votojnë Gjykatën Speciale gjatë procedurës që pritet të përsëritet në ditët apo javët në vijim.

“Sot, po këta miq që na ndihmuan të arrijmë lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të ketë kryer ndonjë individ, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme është kjo drejtësi për secilin prej nesh. Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtojë shtet të së drejtës, ta vëjë drejtësinë në vend”.

Gjykata Speciale për Krime Lufte, ka burimin e saj në raportin e senatorit zviceran Dick Marty i cili kishte ngritur disa supozime për trafik organesh të civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më pas, këto pretendime ishin miratuar në një raport të Këshillit të Evropës, i cili solli deri te formimi i një task-force ndërkombëtare që bëri hetimin e dyshimeve.

Si përfundim, Kuvendi i Kosovës në prill të vitit të kaluar kishte miratuar letërkëmbimin mes presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton, ku parashihej edhe formimi i një Gjykate Speciale që do të merrej me pretendimet në raportin e Këshillit të Evropës.

Por, në kuadër të kompetencave të kësaj gjykate, Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka kërkuar që të futen edhe rastet e pandriçuara të vrasjeve të pas luftës në Kosovë, ku në shumicën e rasteve viktima kanë qenë zyrtarë apo pjesëtar të LDK-së.

Në këtë frymë ka folur edhe kryeministri dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se zbardhja e këtyre rasteve është borxhi i Kosovës ndaj viktimave.

“Përveç kërkesës për të zbardhur raste për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, këtë e kemi me borxh që t’i zbardhim të gjitha rastet e vrasjeve politike të pasluftës, këtë ua kemi borxh viktimave, bashkëluftëtarëve, këtë ia kemi borxh Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Kthimin e amandamentit kushtetues në votim të sërishëm në Kuvend po e kundërshtojnë të tri partitë opozitare.

Ndonëse fati i themelimit apo jo të Gjykatës Speciale, megjithatë, mbetet në duart e Partisë Demokratike të Kosovës, ngase një pjesë e deputetëve të këtij subjekti politik nuk e kanë mbështetur formimin e saj.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG