Ndërlidhjet

Negociatorët mund të shtyjnë afatin e 7 korrikut


Fotografi nga bisedimet e 6 korrikut në Vjenë

Fotografi nga bisedimet e 6 korrikut në Vjenë

Bisedimet maratonike për arritjen e marrëveshjes historike për programin bërthamor në mes të Iranit dhe fuqive botërore, u zhvilluan deri në orën e vona të 6 korrikut, ku të dyja palët kanë deklaruar se mund t’iu duhet më shumë kohë për të arritur deri tek finalizimi i marrëveshjes.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se zgjatja e afatit të 7 korrikut mund të jetë “sigurisht e mundur”. Ndërkaq, një zyrtar iranian në bisedimet e Vjenës tha se “edhe nëse ne e kalojmë afatin e 9 korrikut, nuk do të jetë fundi i botës”.

Negociatorët edhe më herët kanë shtyrë afatet në bisedimet që po zgjasin tash e dy vjet. Ata në fakt kanë ardhur deri tek marrëveshja pasi vet kanë shtyrë afatet përfundimtare.

Në muajin prill, disa ditë pasi kishin kaluar afatin e paraparë, ata arritën një marrëveshje kornizë. Data për marrëveshjen përfundimtare më pas u vendos të jetë 30 qershori.

Por në bisedimet e mbrëmshme u bë e qartë se ende nuk po shihet drita në fund të tunelit, pavarësisht se ka pasur përparim në bisedime dhe kanë mbetur të merren vesh vetëm për disa detaje para marrëveshjes përfundimtare.

“Nuk jemi akoma aty ku duhet të jemi. Ne nuk duhet t’i nënvlerësojmë çështjet e rëndësishme që akoma nuk i kemi zgjidhur. Ne nuk do të arrijmë marrëveshje me çdo çmim”, ka thënë një burim gjerman.

“Nëse nuk ka ndryshim qëndrimesh për çështje të caktuara, dështimi i këtyre bisedimeve nuk përjashtohet”, thotë tutje ky burim.

XS
SM
MD
LG