Ndërlidhjet

Liderët evropianë: Greqia ka akoma derën e hapur për negociata


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Liderët e eurozonës do të mbajnë një samit urgjent në Bruksel sot, për të diskutuar pasojat e votës “Jo” të grekëve, të cilët kundërshtuan masat shtrënguese të kursimit dhe për vendimin e kryeministrit grek Alexis Tsipras, që të zbulojë planin e tij të ri të konrollit të borxhit të Greqisë.

Përderisa në Greqi janë mbyllur bankat deri të paktën më 9 korrik, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një front të bashkuara, duke i bërë thirrje Tsipras që të bëjë një propozim“konkret” për të ringjallur bisedimet për shpëtimin e ekonomisë së vendit.

“Dera është e hapur për diskutime”, ka thënë presidenti francez Francois Hillande pas bisedimeve për krizën me Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilat u mbajtën në Paris, një ditë pasi Greqia refuzoi propozimin e kreditorëve ndërkombëtarë.

“Tani është në dorën e qeverisë së Alexis Tsipras që të bëjë propozime serioze dhe kredibile që kjo dëshirë për të qëndruar në eurozonë mund të përkthehet në një program afatgjatë”, ka thënë Hollande.

Kancelarja Merkel tha se kushtet për një paketë të re të shpëtimit për Greqinë “akoma nuk janë bërë”.

“Prandaj ne tash po presim për propozime konkrete nga kryeministri grek, një program i cili do t’i mundësojë Greqisë prosperitet”, ka thënë Merkel, duke shtuar se shtetet e eurozonës deri më tani janë treguar “shumë solidare me Greqinë”.

Ndërkaq, ministri i ri grek i Financave, Euclid Tsakalotos ka thënë se Greqia “dëshiron të vazhdojë bisedimet”.

XS
SM
MD
LG