Ndërlidhjet

logo-print

Kriza në Greqi, pasoja politike dhe ekonomike ndaj Maqedonisë


Kriza në Greqi do të reflektohet negativisht ndaj raporteve me Maqedoninë, si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Në planin politik pasojat do të bien mbi çështjen e pazgjidhur të emrit pasi në një situatë të krizës së rëndë është absurde të pritet ndonjë përkushtim i saj në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme me Maqedoninë, thotë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Denko Maleski.

“Sa i përket raporteve me Maqedoninë, mendoj se nuk ka aspak kohë që politika shtetërore t'i përkushtohet këtij problemi dhe absolutisht i tërë aparati shtetëror do të përqëndrohet në nxjerrjen e vendit nga kriza ndërsa nëse kësaj i shtojmë edhe krizën politike brenda Maqedonisë, ku partitë nuk po mund të merren vesh as për çështjet më thelbësore, atëherë edhe më shumë ulen gjasat për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar“, thotë Maleski.

Sipas tij, ndoshta përfshirja eventuale e fuqive të mëdha mund të rezultojë me ndonjë zgjidhje pasi si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni janë të interuara për zgjidhjen e problemeve të dy shteteve, të Greqisë me krizën ekonomike dhe të Maqedonisë me çështjen e pazgjidhur të emrit të saj kushtetues.

Ngjarjet në Greqi pa marrë parasysh se në çfarë aspekti do të zhvillohen, do të ketë edhe pasoja ekonomike ndaj Maqedonisë, vlerësojnë ndërkohë njohësit e çështjeve ekonomike.

“Duhet të kemi parasysh faktin se Greqia tani një periudhë të gjatë është në mesin e pesë shteteve partnere me të cilat realizojmë këmbimin e jashtëm tregtar, pra, si partner i fuqishëm tregtar duhet t'i kemi parasysh edhe krizën ekonomike me të cilën ajo po përballet dhe pasojat që detyrimisht do të reflektohen edhe ndaj ekonomisë së Maqedonisë".

"Dalja e saj nga eurozona, apo ndërrimi i valutës kombëtare parë në një aspekt më të gjërë nuk është veprim që do të ishte në favor të Maqedonisë në aspekt të këmbit tregtar. Në këtë rast do të kishte çrregullime që vështirë të parashikohet se deri në çfarë mase do të ishin pasojat negative“, thotë Mitko Aleksov nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë.

Këmbimi tregtar mes dy vendeve sillet në rreth 900 milionë dollarë në vit, ekpsorti sipas të dhënave të entit të statistikës ishte rreth 227 milionë dollarë ndërsa importi mbi 660 milionë dollarë, shifra këto që e bëjnë Maqedoninë të ketë një suficit tregtar prej rreth 440 milionë dollarë.

Pasojat e krizës ekonomike sipas të dhënave të institucioneve shtetërore veçmë kanë filluar të ndjehen, këmbimi tregtar në kuartalin e parë të këtij viti ishte rreth 150 milionë dollarë, shifër kjo më e ulët krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG