Ndërlidhjet

logo-print

Shkarkimet dhe emërimet e reja në sektorin e resurseve njerëzore dhe në administratën brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kanë nxitur reagime në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ka kritikuar ministren Hikmete Bajrami se ka larguar nga puna njerëz profesionistë me performancë të shkëlqyeshme.

Për më shumë, ai ka theksuar se me këto veprime, ministrja Bajrami ka rrezikuar edhe mbarëvajtjen e procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe proceset e tjera të integrimeve evropiane në të cilat gjendet Kosova.

“Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë rrjedhë të ngjarjeve e cila jo vetëm që vë në pikëpyetje aftësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për qëndrueshmërinë dhe implementimin e projekteve për të cilat jemi dakorduar, por gjithashtu vë në pikëpyetje hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, thuhet në letrën e Samuel Zbogar dërguar ministres së Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami.

Këtyre kritikave iu është përgjigjur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami, duke thënë se me këto veprime po lufton korrupsionin në ministri.

“Asnjë presion, asnjë shantazh, asnjë kërcënim, asnjë veprim i kujtdo qoftë nuk më largon nga ideja për t’i ndalë keqpërdorimet, krimin, korrupsionin edhe të njerëzve që janë të lidhur me çfarëdo faktori vendor apo ndërkombëtar”, ka theksuar Bajrami.

Shkarkimet dhe emërimet e reja në sektorin e resurseve njerëzore dhe në administratën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë po kritikohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli.

Ish ministri Dugolli në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se këto ndërrime që po bëhen po dëmtojnë proceset ekonomike.

Ai ka kujtuar se në këtë ministri vazhdimisht ka pasur ndërrim të pozitave, varësisht nga partia e cila ka udhëhequr me këtë dikaster.

“Në kohën kur kam qenë ministër më ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë kemi kualifikuar dhe aftësuar stafin që të jenë adekuat për çështje të ndryshe që janë në domenin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Por, me ndërrimin e pushtetit vjen ministri pasues dhe i largon nga detyra ata njerëz të cilin ishin profesionistë e që ne kishim investuar në përgatitjen e tyre, dhe ky trend vazhdojë edhe me ministrat tjerë të kësaj ministrie”, tregon Dugolli.

Dugolli kujton se që nga viti 2004 deri në vitin 2008 shumë kuadro ishin përgatitur për të kryer punë të rëndësishme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që shumë prej këtyre personave më janë më pjesë e kësaj ministrie.

“Në rast se po bëhen emërimet e reja dhe shkarkimet për të rehatuar militantët partiak është një gjë e gabuar dhe shumë e dëmshme për shtetin, por që nëse ndodh si rezultat i performancës së dobët ose aferave korruptive unë mendojë se askush nuk duhet t’i mbrojë ata as komuniteti ndërkombëtarë por as edhe zyrtarët qeveritarë”, shton Dugolli.

Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër e kanë quajtur të pakuptimt ndërhyrjen e shefit të zyrës së BE-së në Prishtinë, në punët e ministres Bajrami.

“Zhbogar nuk do të duhej të ndërhynte në këtë mënyrë tek disa vendime brenda Ministrisë së Tregtisë nga ana e ministres Bajrami, pasi që nuk besoj që Zhbogar e njeh më mirë administratën brenda sesa vet ministrja”, ka theksuar Petrit Zogaj nga Lëvzija Fol.

Megjithatë, Zogaj ka kërkuar nga ministrja Bajrami që nëse ajo po deklarohet se me këto vendime të shkarkimeve dhe emërimeve të reja po lufton korrupsionin, të tregon ne detaje se për çfarë vepra të korrupsionit bëhet fjalë dhe se kush janë ata persona.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG