Ndërlidhjet

Rusia forcon akuzat kundër pilotes ukrainase


Nadia Savchenko

Nadia Savchenko

Hetuesit në Rusi kanë rritur seriozitetin e akuzave kundër pilotes ukrainase, Nadia Savchenko, duke e akuzuar atë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vrasjen e dy gazetarëve rusë, të cilët kanë vdekur vitin e kaluar, derisa kanë qenë duke mbuluar konfliktin në Ukrainë.

Vladimir Markin, zëdhënës i Komitetit Hetues të Rusisë, i ka bërë publike akuzat e reja, që përfshijnë ato për tentim-vrasje dhe për hyrje ilegale në territorin rus.

Savchenko ndodhet në paraburgim në Rusi qysh në korrik të vitit 2014, kur thotë se është rrëmbyer nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe është dërguar përtej kufirit në Rusi.

Akuzat kundër Savchenkos mund të bartin dënim të përjetshëm.

Më herët, autoritetet ruse e kanë akuzuar atë për pjesëmarrje në vrasjen e gazetarëve Igor Kornelyuk dhe Anton Voloshin në Luhansk.

Savchenko i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat, duke thënë se Rusia nuk ka të drejtë ta ndalojë ose gjykojë atë.

Kievi dhe qeveritë perëndimore kanë kërkuar nga Rusia lirimin e menjëhershëm të saj.

XS
SM
MD
LG