Ndërlidhjet

Beteja për kompetencat e “Asociacionit” apo “Bashkësisë” serbe


Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të themelohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese, ka deklaruar ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Sipas saj, ky Asociacion nuk do të ketë do të ketë kompetenca ekzekutive.

Këto komente, Tahiri i ka bërë gjatë një debati që ka organizuar Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale me temën: “Asociacioni / Bashkësia – dy emra, dy qëllime”.

Tema e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është vlerësuar ndër më të vështirat në dialogun që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë po zhvillojnë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Por, ministrja Tahiri është shprehur më se e bindur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pavarësisht dallimeve në qëndrimet me palën nga Serbia, do të jetë një asociacion në kuadër të kornizës aktuale ligjore të Kosovës.

“Asociacioni nuk mund të marrë vendime në emër të komunave. Me fjalë tjera, ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive sepse me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës ne kemi në sistemin tonë politik, dy nivele ekzekutive, atë qendror dhe lokal dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale e bën të qartë që kompetencat ekzekutive të komunave janë ekskluzive për komunat dhe nuk janë të transferueshme në tjetër nivel”, ka thënë Tahiri.

Ministrja Edita Tahiri tha po ashtu se nuk do të miratohet ndonjë ligj i veçantë për këtë Asociacion, por një statut i cili do të rregullojë funksionimin e tij.

Në debat ka marrë pjesë edhe analisti politik nga Beogradi, Dushan Janjiq.

Ai ka thënë se vet emërtimi i këtij trupi tregon se bëhet fjalë për një kompromis, ngase Beogradi e quan “Bashkësi”, kurse Prishtina, “Asociacion”.Termi “Bashkësi”, ka nënvizuar Janjiq, nënkupton kompetenca më të gjera sesa ai “Asociacion”.

Sipas tij, këtu shihet qartë që bëhet fjalë për një zgjidhje etnike që si qëllim kishte integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës. Ai pret që Prishtina dhe Beogradi brenda dy javëve të arrijnë përafrime, por jo edhe marrëveshje finale.

“Për 10 apo 15 ditë, nuk pritet të ketë një platformë plotësisht të qartë dhe të gjithë e kemi në dijeni që djalli fshihet në detaje”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, me marrëveshjen e vitit 2013 u arrit pajtimi i madh për këtë asociacion dhe tani, ka vijuar ai, do ishte mirë të kalohej edhe në fazën e themelimit të tij.

Në debat ka marrë pjesë edhe organizatori, Besnik Tahiri nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Ai ka thënë se pala serbe në negociata është duke proklamuar se nëse Asociacioni nuk merr kompetenca ekzekutive, rrezikohet ekzistenca e serbëve në Kosovë.

Një argument i tillë, sipas tij nuk qëndron, pasi që Kosova e garanton funksionimin dhe kompetencat e komunave me Kushtetutë dhe ligje duke u mundësuar komunave një fushë të gjerë të kompetencave.

“Në momentin kur ne, në bazë të Kushtetutës e rregullojmë që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, atëherë ky organ mund të kthehet në një lloj medikamenti për shuarjen e strukturave paralele në Kosovë. Por, në momentin kur synimet politike të Beogradit kthehen në këtë asociacion atëherë frika jonë është që qëllimi është të çrregulloj sistemin politik në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe pritet që të jetë një nga temat boshte të takimit të radhës në Bruksel ndërmjet delegacioneve negociuese nga Prishtina dhe Beogradi.

Aktualisht të dyja palët kanë qëndrime krejtësisht të kundërta rreth kompetencave që mund t‘i ketë ky “Asociacion”, për Prishtinën apo kjo “Bashkësi”, për Beogradin.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG