Ndërlidhjet

Rusia bllokon rezolutën për Srebrenicën

  • RFE /RL

Qendra përkujtumore e viktimave të Srebrenicës, Potoçari - foto arkivi

Qendra përkujtumore e viktimave të Srebrenicës, Potoçari - foto arkivi

Rusia ka mbajtur premetimin ndaj Serbisë dhe serbëve të Bosnjës për të bllokuar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila e përshkruan masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë si gjenocid. Ky veprim ka bërë që kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të thotë se do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të masakrës, më 11 korrik.

Vuçiq ka thënë në një konferencë për media, të martën vonë në Beograd, se do të shkojë në Srebrenicë, pasi ka marrë garanci nga anëtaret e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina, se ato nuk do të lejojnë miratimin e një rezolute që “poshtëron” Serbinë dhe Republikën Serbe në Bosnje.

“Do të shkoj me krenari dhe do të prezantoj një Serbi që është e aftë për të pranuar se disa individë kanë kryer krime… Duhet ta bëjmë këtë për të mirën tonë”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar vrasjes së 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në korrik të vitit 1995.

“Këta njerëz kanë emra. Ne i dënojmë të gjitha këto krime të tmerrshme dhe do të dënojmë secilin kriminel. Është koha të tregojmë se jemi të gatshëm për pajtim dhe jemi të gatshëm të përkulim kokën tonë para viktimave të popujve të tjerë”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ka faj kolektiv.

Vuçiq, në konferencën për gazetarë, ka falënderuar Rusinë dhe Kinën për bllokimin e rezolutës së OKB-së që përmban referencën gjenocid dhe ka thënë se ato nuk kanë kërkuar asgjë në këmbim.

Rusia, para komenteve të Vuçiqit, ka informuar anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit se do t’i vë veto rezolutës, sepse ajo përmban termin “përçarës” gjenocid, i cili është fyes për Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Termi, megjithatë, është përdorur nga gjykatat ndërkombëtare dhe zyrtarët e OKB-së për të përshkruar vrasjen masive.

Votimi në Këshillin e Sigurimit është shtyrë për sot, për t’i dhënë kohë Britanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për të gjetur një gjuhë kompromisi.

“Teksti i rezolutës është rrënjësisht i keq saqë nuk mund të korrigjohet. Rusia po vepron në përputhje me bisedimet që kemi pasur me të”, ka thënë më pas udhëheqësi i serbëve të Bonjës, Millorad Dodik.

Në pikëpamjen e historisë dhe betejës së vazhdueshme për Srebrenicën, pjesëmarrja e Vuçiqit në ceremoninë e 11 korrikut, në lindje të Bosnjes, është një ngjarje historike.

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka marrë pjesë në 15-vjetorin e masakrës, në vitin 2010. Por, Vuçiq, një ish-nacionalist, është më i lidhur me ideologjinë e Serbisë së Madhe, e cila ka nxitur shumë gjakderdhje.

Serbia, në vitin 2010, ka pranuar se në Srebrenicë ka ndodhur një “krim i madh” dhe e ka dënuar masakrën, pasi ka kërkuar lidhje më të ngushta me Perëndimin, por ajo nuk e ka cilësuar ngjarjen si gjenocid.

Masakra e Srebrenicës ka qenë më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. (v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG