Ndërlidhjet

Merkel: Reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit - e rëndësishme


Ekonomia mes Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe ngritja e këtyre marrëdhënieve në një nivel të ri, duket se ka qenë tema kryesore e vizitës së kancelares Angela Merkel në Tiranë.

Kancelarja gjermane ka mbërritur rreth orës 13:30 në Tiranë, ku është pritur në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” nga zëvendëskryeministri i Shqipërisë Niko Peleshi.

Më pas, kancelarja Merkel, rreth orës 14:15 minuta është pritur në kryeministri, nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Qindra qytetarë të Tiranës, kishin dalë anash bulevardit kryesorë për të përshëndetur kancelaren Merkel. Pas himneve të të dy vendeve dhe ceremonisë së mirëseardhjes, kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel së bashku me delegacionet dy palëshe zhvilluan bisedimet mes tyre për rreth 45 minuta.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kancelarja Merkel preku integrimin e Shqipërisë në Evropë, reformën në drejtësi dhe azilkërkuesit.

“Shqipëria ka bërë progres për anëtarësim në BE, por jeni ju që duhet plotësoni kushtet. Reforma e drejtësisë në vend është e rëndëshme, dhe mendoj se Shqipëria mund të shfrytëzojë përvojën më të mirë evropiane, sidmos në luftën kundër korrupsionit", tha kancelarja Merkel.

Për çështjen e azilkërkuesëve ajo shtoi se ka folur hapur me kryeministrin shqiptar.

"Ne jemi të hapur për fuqi punëtore të kaulifikuar dhe Shqipëria na e ofron këtë. Azilkërkuesit nga Shqipëria nuk mund të jenë azilant në gjermani“, ka thënë prerë kancelarja Merkel.

Ndërsa kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tha se Shqipëria dhe rajoni, kanë bërë progres nën ndihmën e Gjermanisë, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nën shembullin e Francës e Gjermanisë mbas Luftës së Dytë Botërore, rajoni ka bërë hapa përpara që as më optimistët nuk mund t’i besonin”, tha kryeministri Rama duke iu referuar vizitave të ndërsjella me kryeministrin e Serbisë Aleksander Vuçiq.

“Evropa ka nevojë për Ballkanin, po aq sa dhe Ballkani për Evropën”, tha ai.

Mbas konferencës për shtyp me kryeministrin Rama, kancelarja gjermane është takuar me presidentin e Republikës Bujar Nishani në presidencë, për t’ju drejtuar më pas konferencës së ekonomisë në “Tirana Business Park”.

Vizita e kancelares Merkel u zhvillua nën masa të forta sigurie.

Rreth 500 forca policore janë angazhuar për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës së kancelares Merkel.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG