Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë ende të qartë formën se si do ta ri-procedojë amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, pas dështimit të miratimit në seancën e 26 qershorit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u ka bërë thirrje deputetëve që të tejkalojnë qëndrimet e tyre individuale dhe të miratojnë themelimin e kësaj gjykate, marrë parasysh edhe kërkesat e shtuara të faktorit ndërkombëtar, sidomos vendeve që cilësohen si mike të Kosovës.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kosova nuk guxon ta rrezikojë miqësinë e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke besuar se do të gjendet një zgjidhje.

“Mesazhi është që ne do të ecim përpara në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti. Askush nuk mund të na ndaj nga një bashkëpunim i cili është i shkëlqyeshëm si dhe me pjesën e vendeve perëndimore të Bashkimit Evropian. Por, të njëjtën kohë ne si spektër politik, si Kosovë duhet të jemi të bashkuar”, ka theksuar Veseli.

Gjatë seancës së 26 qershorit, përveç tri partive opozitare të cilat nuk morën pjesë në votim, vendimtare ishin qëndrimet e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët votuan kundër, abstenuan apo nuk morën pjesë në seancë.

Me këtë veprim, ky grup i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pamundësoi që amendamenti kushtetues t’i merr 80 votat e nevojshme për t’u miratuar.

Edhe tani, kur pas trysnive të shtuara ndërkombëtare është paralajmëruar ri-procedimi i amendamentit, qeveria mbase është në pritje të një qëndrimi më të qartë të PDK-së para se të kërkojë sërish votën në Kuvend.

Nait Hasani është njëri prej deputetëve të PDK-së që votoi kundër. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk e ka ndërmend ta ndërrojë qëndrimin e tij.

Ndërkaq duke iu përgjigjur sugjerimeve të diplomatëve dhe miqve të Kosovës që gjykata të themelohet, Hasani thotë se faktori ndërkombëtar për plot 15 vjet i kishte të gjitha mundësitë në duart e veta që t’i hetojë e gjykojë të gjitha rastet, përfshirë rastet ku si protagonistë ishin figurat e larta të UÇK-së.

“Miqtë ndërkombëtar kanë vepruar në Kosovë të papenguar nga askush. Kanë qenë në mënyrë absolute sundimtar të Kosovës për 15 vjet, me UNMIK-un, me EULEX-in. I kanë bërë hetimet në të gjitha fushat për të cilat ata kanë pasur interes dhe detyrë. Ata kanë arrestuar dhe gjykuar njerëz që nga vitit 2000 e këndej”, ka thënë Hasani.

Sipas deputetit Nait Hasani, kërkesa për Gjykatën Speciale pavarësisht që sistemi i drejtësisë ishte në duart e ndërkombëtarëve, do të nënkuptonte një favor për Serbinë dhe një dënim të Kosovës bashkë me UNMIK-un dhe EULEX-in.

“Nuk mund ta ndryshoj mendimin tim. Ne kemi dënuar (gjykuar) kryeministër, komandantët e zonave operative të UÇK-së, kemi dënuar ushtarët dhe i kemi plotësuar të gjitha ato kriteret të cilat janë apo janë kërkuar për dënimin dhe gjykimin e krimeve individuale. Prandaj, ne kërkojmë që miqtë ndërkombëtar të na japin mbështetje dhe të na ndihmojnë që kjo gjykatë nuk i duhet Kosovës”, ka thënë Hasani.

Gjykata Speciale për krime lufte, burimin e saj e ka tek raporti i Këshillit të Evropës ku ngriten pretendime e supozime se ish-pjesëtar të UÇK-së kanë kryer krime lufte ndaj disa civilëve serb.

Andaj, kjo Gjykatë po nënkuptohet nga disa subjekte politike në Kosovë si një gjykatë për gjykimin e UÇK-së, kështu që ajo nuk po e merr as mbështetjen e nevojshme të koalicionit qeverisës që përbën shumicën në Kuvendin e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG