Ndërlidhjet

Rusia dhe Britania përplasen për Srebrenicën


Qendra memoriale në Potoçari, Srebrenicë

Qendra memoriale në Potoçari, Srebrenicë

Duke folur në seancën e Këshillit të Sigurimit e cila filloi pas një minut heshtjeje për të kujtuar viktimat e Srebrenicës, ambasadori rus në OKB, Vitaly Chiurkin ka thënë se teksti i rezolutës “nuk është konstruktiv, është konfrontues dhe është i motivuar politikisht”.

Ai ka thënë se serbët e Bosnjës padrejtësisht janë akuzuar se kanë kryer krime lufte.

“Draft-rezolita që kemi para nesh nuk do të ndihmojë për paqe në Ballkan, por përkundrazi do të ngrisë tensione në këtë rajon”, ka shtuar ai.

Zëvendësambasadori britanik Peter Wilson e ka akuzuar Moskën se anon në grupin e vendeve që “nuk janë të gatshme të pranojnë faktet”.

“Veprimet e Rusisë shkatërrojnë kujtimin e të gjithë atyre që vdiqën në gjenocidin e Srebrenicës”, ka thënë ai.

Rusia ka vendosur veto për draf-rezolutën e Kombeve të Bashkuara e cila dënon masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë dhe e quan “krim të gjenocidit”.

Mospajtimet me tekstin e rezolutës ringjallën ndarjen që prej luftërave në Ballkan, kur Rusia ishte në anën e serbëve të Bosnjes dhe Serbisë, ndërkaq vendet perëndimore mbështesnin myslimanët e Bosnjes dhe Kroacisë.

Në draft-rezolutën e Britanisë, thuhej se “pranimi i ngjarjeve tragjike të Srebrenicës si gjenocid është parakusht për pajtim”.

Në favor të kësaj rezolute kanë votuar 10 shtete, ndërkaq përveç vetos së Rusisë, 5 shtete të tjera kanë abstenuar.

Më 11 korrik 1995 në Srebrenicë janë vrarë afro 8,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe.

XS
SM
MD
LG