Ndërlidhjet

logo-print

Kampi veror me nxënës nga diaspora, i cili do të nisë të premten në Artanë, është vetëm një nga rreth 200 aktivitete kulturore dhe sportive, të cilat janë planifikuar në kalendarin e aktiviteteve që do të organizohen në muajt e verës nga Ministria e Diasporës, në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Qeverisë së Kosovës, si dhe me komunat e ndryshme.

Zyrtarët e këtyre dikastereve, thonë se aktivitetet e tilla janë planifikuar që nga muajt e parë të këtij viti, me qëllim që ta pasurojnë dhe dinamizojnë jetën kulturore në Kosovë gjatë muajve të verës, kur edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë, e vizitojnë vendin.

Lorik Pustina, udhëheqës i Divizionit për Komunikim në Ministrinë e Diasporës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon që aktivitetet në kuadrin e “muajit të diasporës”, do të shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës.

“Deri më tani kemi rreth 200 aktivitete, të cilat janë organizuar nga Ministria e Diasporës, partnerët e saj, si dhe komunat ku do të mbahen këto aktivitete dhe ku ka përqendrim të mërgimtarëve".

"Në këtë kontekst e kemi përpiluar dhe shtypur edhe një kalendar të këtyre aktiviteteve, një kalendar 16 faqe, ku me orë, me ditë dhe vend specifikohet secili aktivitet, a shtu që vet bashkatdhetarët tanë mund të zgjedhin se ku dëshirojnë të marrin pjesë, pra, të zgjedhin nga aktivitetet e bollshme, të cilat janë për të gjitha moshat”, thotë Pustina.

Sipas Pustinës në aktivitetet që do të manifestohen gjatë muajve të verës, do të ketë shfaqje teatrale, panaire të ndryshme, kurse për instrumente muzikore, vizita në muze të qyteteve të ndryshme, vizita në vende historike dhe të trashëgimisë kulturore, punëtori artizanale, kinema të hapura, koncerte, si dhe aktivitete të ndryshme sportive.

“Për shembull, në Prishtinë do ta kemi një aktivitet, i cili bëhet për herë të parë, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, ku fëmijët nga diaspora do të kenë mundësi që nga ekspertë të muzeut të simulojnë gërmimet arkeologjike, se si fillon procesi i gërmimit, si nxirren mostrat, si ruhen, si pastrohen e deri te konservimi. Kjo do të kulmojë me një ekspozitë. Pastaj, është shkolla verore ‘Arti në hapësirë publike’ për të rinjtë e diasporës, ku do t’i mësojnë fondamentet e aktrimit”, bën të ditur ai.

Vehbi Miftari, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç aktiviteteve që organizohen në partneritet me Ministrinë e Diasporës, edhe disa institucione reprezentative të kulturës, do të jenë të qasshme për qytetarët gjatë muajve të verës.

“Në këtë vazhdë, ne kemi bashkë-organizuar ose bashkërenduar aktivitetet me Ministrinë e Diasporës dhe me institucionet kulturore në vend, në mënyrë që disa sosh të jenë të hapura në periudhën kur bashkatdhetarët tanë janë këtu, ose të organizojnë aktivitete të veçanta".

"Ta zëmë, muzeu të hapë dyert për bashkatdhetarët tanë, pastaj, institucionet nacionale siç janë: teatri, baleti e të tjera, të mund të ofrojnë shfaqje në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për bashkë-atdhetarët tanë”.

Në anë tjetër, zyrtarët e Komunës së Prishtinës thonë se tashmë me hapjen e pishinës në parkun e Gërmisë, do të hapet edhe skena që gjendet pas pishinës dhe ku priten një varg shfaqjesh dhe koncertesh.

Saranda Bogujevci, udhëheqëse e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktivitetet do të jenë të shumta, por edhe të specifikuara.

“Janë disa projekte të ndryshme, që i kemi mbështetur dhe që janë shumë atraktive e që kanë për t'u realizuar në qendër të qytetit. Gjithashtu kemi pasur edhe bibliotekat mobile që janë të ndërtuara në formë interesante dhe të vendosura në shesh, për t’iu ofruar qytetarëve që të shkojnë të marrin ndonjë libër dhe me fëmijët të kalojnë kohën duke u marrë edhe me lexim”, thekson Bogujevci.

Aktivitetet kulturore, artistike dhe sportive, të cilat janë paraparë në kalendarin e planifikuar nga Ministria e Diasporës dhe partnerët e saj, kanë nisur me 17 qershor dhe do të përfundojnë me 3 shtator.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG