Ndërlidhjet

Ekspertët e çështjeve të mjedisit po kritikojnë autoritetet e Kosovës për heqjen e kufizimeve për importimin e veturave, pavarësisht vjetërsisë.

Sipas tyre, për një shumë jo të madhe të të hyrave që mund t’i ketë buxheti i shtetit nga importi i këtyre veturave, nuk është dashur të lejohet ndotja e ambientit.

Zeqir Veselaj, ekspert për çështje të ambientit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se dëmet nga heqja e këtyre kufizimeve për vetura janë më të mëdha se sa përftimet.

“Dëmet që shkaktohen nga një vendim i tillë do të jenë shumë më të mëdha sesa zgjidhja afatshkurtër e nevojave të qytetarëve për vetura. Është e vërtetuar shkencërisht se çdo makinë sa më e vjetër që është aspektet e përpunimit të derivateve i ka më të mëdha dhe mundësinë e përpunimit e ka më të dobët, që nënkupton lirimin e më shumë ndotësve në ambient”, thekson Veselaj.

Ai tregon se lejimi i hyrjes së veturave të përdorura në Kosovë, ka ndikuar në masë të madhe në ndotjen e mjedisit.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, ka hyrë në mars të këtij viti.

Deri para këtij vendimi, importi i veturave më të vjetra se 13 vjet, ka qenë i ndaluar në Kosovë.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës, ka bërë që numri i veturave të përdorura që vinë nga vendet e ndryshme në Kosovë, të shënojë rritje.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, nga janari i këtij viti deri në qershor janë importuar 7.600 vetura të përdorura, derisa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin importuar 6.500 vetura.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se "shprehur në përqindje ka rritje prej 15 për qind më shumë import të veturave dhe 16 për qind më shumë të hyra".

“Kjo lë të nënkuptosh që edhe vendimi i qeverisë që ka të bëjë me heqjen e kufizimeve, ka ndikuar pozitivisht në aspektin e doganave dhe në aspektin e buxhetit ka sjellë më shumë të hyra, por po ashtu edhe qytetarëve iu ka mundësuar që të kenë vetura që më herët nuk kanë mundur t’i kenë”, ka theksuar Stavileci.

Stavileci bën të ditur se nga zhdoganimi i veturave, janë rritur të hyrat për 2.5 milionë më shumë në këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Derisa në periudhën janar – shkurt 2014, nga zhdoganimi i veturave janë mbledhur 15 milionë euro, në këtë vit janë 17.5 milionë euro.

Ndërkohë, sa i përket importimit të veturave të reja, edhe këtu siç thekson Stavileci, ka rritje.

“Në vitin 2014 kemi pasur importim të 395 automjeteve të reja, kurse në vitin 2015 kemi 551 automjete, rritja është për 47 për qind. Edhe taksat kanë shënuar rritje për afër 600 mijë euro. Pra, vendimi për automjetet e reja edhe vendimi për heqjen e kufizimeve kanë reflektuar pozitivisht në aspektin e të hyrave”, bën të ditur Stavileci.

Kosova vazhdimisht edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare është theksuar se gjendet në pozitë të rëndë mjedisore.

Sipas një analize të mëhershme të Bankës Botërore, është thënë se një realitet i tillë e rendit Kosovën në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës në Kosovë, thuhet se kanë marrë përmasa alarmante dhe gjendja po keqësohet çdo ditë e më shumë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG