Ndërlidhjet

Bruceloza, sëmundje endemike në Kosovë


Gjatë vitit 2015, në Kosovë janë raportuar gjithsej 25 raste të brucelozës.

Bruceloza është një sëmundje që bartet prej kafshëve te njeriu, dhe është sëmundje endemike me vite ne Kosovë, por që herë pas herë manifestohet me shpërthime epidemike, e që kryesisht janë epidemi familjare.

Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i ka thënë Radios Evropa e Lirë se së fundmi në këtë klinikë, janë trajtuar dy familje nga bruceloza.

"Bruceloza prejardhjen e ka prej vatrave endemike dhe bazën e ka nga kafshët, ku ushqimi i pa përpunuar konsumohet nga njerëzit. Aktualisht kemi dy shpërthime të karakterit familjarë, një nga Komuna e Malishevës dhe një nga Komuna e Ferizajit".

"Si zonë endemike me brucelozë janë identifikuar Ferizaji, rajoni i Vitisë, Lipjanit, por ka edhe raste sporadike edhe në rajonin e Dukagjinit dhe Prizrenit".

Sa i përket trajtimit të brucelozës në Klinikën Infektive, zoti Ahmeti tregon se nëse sëmundja nuk trajtohet me kohë, mund të shkaktojë komplikime.

"Sa i përket trajtimit bëhet në Klinikën Infektive dhe nëse sëmundja kapet herët, mjekimi shkon mirë, pa komplikime. Por, nëse diagnostikimi nuk bëhet me kohë, atëherë shpesh kemi raste që shfaqen me komplikime pasi si sëmundje shoqërohet me temperaturë të lartë, prek mëlqinë në rradhë të parë, por në raste komplikimi prek edhe sistemin kockor si dhe sistemin nervor".

Pranvera Kaçaniku, epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka bërë të ditur se Kosova konsiderohet si zonë endemike për brucelozën, dhe se sipas saj,Instituti Kombëtar ka kapacitete të plota për identifikim dhe diagnostikim të rasteve.

"Kur rastet paraqiten me simptoma, analizat laboratorike kryhen në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, në departamentin e mikrobiologjisë. Këtë vit janë diagnostikuar 25 raste të raportuara dhe të regjistruara në IKPSH. Në muajin korrik i kemi identifikuar dy epidemi familjare".

Sidoqoftë së fundmi janë asgjësuar 226 krerë dele në Komunën e Ferizajit, ku edhe ka ndodhur shpërthimi epidemik, e që është prekur njëra nga familjet me brucelozë.

XS
SM
MD
LG