Ndërlidhjet

Aktakuzë për terrorizëm kundër një personi


Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi për vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin.

’’Sipas aktakuzës, i pandehuri, me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizoj dhe të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit“, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Kosovës.

Aty theksohet se ky person gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

“Për veprën penale me të cilën i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i vazhdojë masën e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, përfundon komunikata.

XS
SM
MD
LG