Ndërlidhjet

logo-print

AI: Familjet e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë presin drejtësi


Familjet e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë ende presin drejtësi, pa të cilën pajtimi afatgjatë nuk është i mundur, tha sot organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, me seli në Londër, me rastin e 20 vjetorit të kësaj masakre, në të cilën u vranë afro 8 mijë burra e djem myslimanë.

“Dy dekada pasi bota i mbylli sytë, ndërsa kryhej krimi më mizor në tokën evropiane prej vitit 1945, familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës vazhdojnë të presin drejtësi”, tha John Dalhuisen, drejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.

Ai mëtutje tha se nevoja që autoritetet e Bosnjë Hercegovinës ta pranojnë atë që ndodhi dhe për të kompensuar nuk duhet të zbehet, por është më urgjente se kurrë.

“Sa më shumë të zgjasë mosndëshkimi i fajtorëve dhe të vrarët mbeten në varre masive, aq më shumë kjo plagë e dhembshme do të thellohet, duke shkaktuar ndasi të rrezikshme dhe të vazhdueshme etnike”, tha Dalhuisen.

20 vjet pasi forcat serbe hynë në Srebrenicë, që ishte një “enklavë e mbrojtur” nga Kombet e Bashkuara, duke vrarë afro 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, fati dhe vendndodhja e mbi 1 mijë vetëve mbetet i panjohur.

XS
SM
MD
LG