Ndërlidhjet

Srebrenicë: Shënohet 20-vjetori i masakrës

  • RFE /RL

Dhjetëra mijëra vetë janë tubuar sot në Srebrenicë në Bosnjë Hercegovinë, për ta shënuar 20-vjetorin e masakrës më mizore të vrasjeve masive në Evropë, që prej Holokaustit.

Dhjetëra liderë dhe zyrtarë të lartë nga shumë vende, përfshirë kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeline Albright, dhe kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, janë në Bosnjë për ceremonitë përkujtimore të 11 korrikut.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, tha se kurrë nuk do të dëshironte të shihet “fushë të vrasjeve si kjo” në Srebrenicë.

Në emër të vendit tim dhe nga thellësia e zemrës sime: e dua këtë vend. Kurrë nuk dëshiroj të shoh fushë të vrasjes si kjo”, tha Bill Clinton.

Ai më tutje është shprehur:

Puna që e pata bërë si president, dhe ajo më vonë në Kosovë, ishte në mesin e gjërave më të rëndësishme që i kam bërë. Më brengos se na u nevojit shumë kohë e gjatë për t’i bashkuar të gjithë miqtë tanë të rreshtohen me ju, duke e përdorë sasinë e forcës që ishte e domosdoshme për ta ndalur dhunën”.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkurtazi është pritur me fishkëllima, derisa ai shkonte për ta nënshkruar Librin e Ngushëllimeve, dhe për të folur me disa të afërt të viktimave të Srebrenicës, ka raportuar AFP.

Po ashtu, në drejtim të tij janë hedhur gurë dhe shishe. Vuçiqi dhe delegacioni i tij ishin nisur kah veturat e tyre, pasi protestuesit hodhën gjësende në drejtim të tyre.

Mbetjet e pajetë të 136 viktimave të identifikuara së fundit, varrosen në kompleksin përkujtimor, së bashku metrupat e pajetë të më se 6 mijë viktimave, të cilat tashmë janë zhvarrosur nga varrezat masive.

Gjatë luftës në Bosnjë Hercegovinë, në periudhën 1992-95, Kombet e Bashkuara e kishin shpallur Srebrenicën si strehë të sigurt për civilë.

Por, më 11 korrik të vitit 1995, trupat serbe e okupuan qytetin. Në ditët në vazhdim, forcat serbe të Bosnjës i vranë më se 8 mijë burra e djem myslimanë.

Trupat ishin hedhur në më tepër se 90 varreza masive në përpjekje për t’i fshehur vrasjet.

Në ceremoninë e së shtunës në Srebrencië ka marrë pjesë edhe zëvendës-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Jan Eliasson. Për rolin e OKB-së ai theksoi:

“Më lejoni të jem i qartë, Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar dështoi t’i mbrojë viktimat e masakrës së Srebrenicës. Kjo do të na ndjek ne përgjithmonë”, tha Eliasson.

Megjithatë, ai ka theksuar se me krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, është “afirmuar se periudha e mosndëshkimit ka përfunduar”.

Më tutje ai është shprehur:

“Do të dëshiroja të mund të thosha se gjenocidi që ka ndodhur këtu e ka bërë botën që plotësisht ta kuptoj kursin e urrejtjes dhe marrëzinë e ndarjes, por ende po ndodhin tragjeditë me frekuencë të zymtë, siç po shohim në Siri, në Irak, në Sudanin Jugor, në Jemen dhe në shumë vende të tjera”, tha Jan Eliasson, zyrtar i lartë në Kombet e Bashkuara

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi ka vlerësuar se masakra në Srebrenicë ishte gjenocid.

Në deklaratën e tij të publikuar para ceremonive të sotme, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se masakra e Srebrenicës ishte “krim monstruoz”.

Serbia, qartas dhe pa mëdyshje e dënon këtë krim të tmerrshëm dhe është e indinjuar ndaj të gjithë atyre që morën pjesë në të”, tha Vuçiq.

Megjithatë, Serbia i ka kundërshtuar përpjekjet për vlerësimin e vrasjeve në Srebrenicë si “gjenocid”.

Më herët këtë javë, Rusia e bllokoi me veto një propozim-rezolutë britanike në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që masakra në Srebrenicë të vlerësohet si “gjenocid”.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodig, e ka falënderuar Moskën për veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke thënë se e ka “parandaluar miratimin e rezolutës, e cila do ta ndërlikonte situatën dhe do t’i thellonte ndarjet brenda Bosnjës”.

Pas luftës, me marrëveshjen e Dejtonit, Bosnjë Hercegovina u themelua si shtet federal i përbërë nga dy entitete kryesisht autonome, atë të Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe të Bosnjës.

Srebrenica gjendet në territorin e Republikës Serbe të Bosnjës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG