Ndërlidhjet

Jahjaga: Viktimat e masakrës në Srebrenicë kërkojnë drejtësi


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përkujtuar 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

Përmes një deklarate për media ajo ka theksuar se viktimat e masakrës në Srebrenicë kërkojnë drejtësi edhe 20 vjet pas masakrës.

“Drejtësia duhet të vihet në vend, që të hapet rruga e pajtimit në Ballkan, pajtimit të madh mes popujve që kanë kaluar histori të rënda mes vete. Falja nuk mund të ndodhë pa vënë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime në emër të luftërave të pakuptimta në Ballkan dhe drejtësia do të triumfojë kur të jenë përballur me të të gjithë shkaktarët e akteve gjenocidale në Ballkan”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Ajo ka shtuar se në këtë përvjetor të dhimbjes e vuajtjeve të mëdha, Kosova është me familjet e të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, në një kohë, siç thekson presidentja, “kur edhe vetë po shëron plagët e luftës së saj”.

“Viktimat e masakrës në Srebrenicë kërkojnë drejtësi edhe 20 vjet pas masakrës dhe ne duhet të sigurojmë se ata do të pushojnë të qetë, kur shkaktarët e vrasjes së tyre të jenë përballur me forcën e ligjit. Duhet të kujtojmë që të mos përsëritet më krimi ndaj njerëzimit, të mësojmë se gjenocidi i kryer në Srebrenicë nuk mund të pushojë e të heshtet pa dënim”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

XS
SM
MD
LG