Ndërlidhjet

Bosnjë: Izetbegoviq e dënoi sulmin kundër Vuçiqit


Aleksandar Vuçiq dhe delegacioni i tij largohen nga Potoçari me ndihmën e pjesëtarëve të forcave të sigurisë pasi në drejtim të tij ishin hedhur gurë dhe shishe
Aleksandar Vuçiq dhe delegacioni i tij largohen nga Potoçari me ndihmën e pjesëtarëve të forcave të sigurisë pasi në drejtim të tij ishin hedhur gurë dhe shishe

Anëtari boshnjak i presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, e ka dënuar sulmin e djeshëm kundër kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Potoçari, dhe ka theksuar se është i sigurt se Vuçiqi kishte ardhur me qëllime të mira në shënimin e 20 vjetorit të masakrës në Srebrenicë.

Izetbegoviq tha se i kishte garantuar Vuçiqit siguri, kur kishte biseduar me telefon me të para tri ditësh dhe ka menduar se nga aspekti i protokolit çdo gjë do të jetë në rregull.

Dje në Potoçari të Srebrenicës është shënuar 20 vjetori i masakrës së 8 mijë burrave e djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës. Kjo është vlerësuar si masakra më mizore në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se masakra në Srebrenicë ishte gjenocid.

Në shënimin e djeshëm morën pjesë më se 50 mijë vetë, përfshirë edhe delegacionet e më se 80 vendeve të botës.

Sulmi kundër kryeministrit të Serbisë filloi kur ai ishte nisur për në qendrën përkujtimore. Në drejtim të tij janë hedhur gurë dhe shishe .

Raportohet se një person është arrestuar për shkak të këtij sulmi.

XS
SM
MD
LG