Ndërlidhjet

Maqedoni: Përpjekje për kapërcimin e dallimeve pushtet - opozitë


Dështimi i negociatave për zgjidhjen e krizës politike ka alarmuar sërish bashkësinë ndërkombëtare, e cila përmes diplomatëve të saj do të bëjë përpjekjen e radhës për kapërcimin e dallimeve mes pushtetit dhe opozitës për arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë kalimtare me një mandat të qartë, përmbushjen e reformave thelbësore dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike, në prill të vitit 2016.

Të hënën në Shkup do të qëndrojë për vizitë, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ndërsa një ditë më vonë, të martën pritet të arrijë komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hanh.

Diplomatët nga Uashingtoni dhe Brukseli para se të arrijnë në Shkup kanë dërguar mesazhe për nevojën e arritjes së shpejtë të marrëveshjes për kapërcimin e ngërçit politik.

Zyrtarja e larë e diplomacisë amerikane, Viktoria Nuland nga Dubrovniku porositi se perspektiva euroatlantike e Maqedonisë varet nga zgjidhja e shpejtë e krizës politike, por edhe e zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

“Para jush ndodhet mundësia e madhe për unitet dhe prosperitet. Para jush është anëtarësimi në NATO dhe BE. Por, partitë më të mëdha politike duhet të ndërpresin grindjet dhe të ecin në rrugën e reformave demokratike, të cilën euro-komisionari Han e përgatiti me mbështetjen e SHBA dhe më pas të fokusohen në zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë. Mos e humbisni këtë mundësi”, ka porositur Nuland.

Drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike nuk kanë komentuar mesazhet e këtilla, por njohësit e çështjeve politike thonë se ndërkombëtarët kësaj radhe do të jenë të vendosur në rritjen e presioneve ndaj partive për gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga gjendja e krijuar.

Unë mendoj se porosia është shumë e qartë se në Maqedoni punët nuk shkojnë ashtu siç duhet, se ajo ka marrë një diskurs, i cili nuk është shumë i përshtatshëm nga ata të cilët angazhohen që në shtet të ketë demokraci, drejtësi dhe liri".

"Kjo flet mjaft dhe unë nuk e di çfarë ende duhet të na thonë ndërkombëtarët neve që ta kuptojmë se kjo qeveri duhet sa më shpejt të shkojë, sepse bëhet fjalë për një qeveri të kriminalizuar dhe të korruptuar”, thotë Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Dallimet kryesore ndërmejt partive kanë të bëjnë me afatet për tërheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski nga drejtimi i qeverisë.

Opozita kërkon që së paku gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohshme Gruevski duhet të japë dorëheqje, por kjo kërkesë refuzohet nga Gruevski, i cili ende thotë se pranon gjithçka nga opozita, por jo edhe dorëheqjen e tij.

Dimitar Mirçev, profesor në Universitetin e Shkupit dhe njohës i çështjeve politike, beson se gjërat mund të lëvizin gjatë vizitës së radhës të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Shpresoj shumë se nga këto vizita të paralajmëruara të komisionarit Han dhe të diplomates amerikane Nuland do të kontribuojnë në këtë drejtim, edhe pse pa një marrëveshje nga vetë partitë politike ndoshta presioni nga jashtë nuk do të ketë edhe ndonjë efekt të madh. Marrëveshja është e mundur nëse ekziston gatishmëri e sinqertë ndërmjet palëve”, thotë Mirçev.

Kriza politike e pranishme që nga zgjedhjet e para një viti për shkak të pretendimeve të opozitës për falsifikimin e tyre, ka kulmuar në muajin shkurt me atë që njihet si aferë e përgjimeve.

Opozita gjatë kësaj periudhe ka publikuar qindra biseda të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë edhe kryeministrin Nikolla Gruevski ku sipas LSDM-së, ata janë të përfshirë në krime të rënda, falsifikim të zgjedhjeve, afera korruptive, ndërhyrje në gjyqësor, media e në sfera tjera.

Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga qeveria duke i quajtur të montuara dhe të siguruara me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete me qëllimin e vetëm destabilizimin e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG