Ndërlidhjet

Nuland në Kosovë për Specialen dhe bisedimet me Serbinë


Atifete Jahjaga dhe Victoria Nuland

Atifete Jahjaga dhe Victoria Nuland

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Victoria Nuland, ka kërkuar nga shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut me Serbinë dhe Gjykata Speciale.

Në takime të ndara që ka pasur me krerët e institucioneve të Kosovës, këta të fundit e kanë siguruar diplomaten Nuland se Kosova do t’i kapërcejë këto sfida dhe se do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt së ardhmes euro-atlantike.

Diplomatja amerikane, Nuland, është takuar fillimisht me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një komunikatë nga Presidenca, thuhet se gjatë këtij takimi është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.

“Institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti për përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t'i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, citohet të këtë thënë presidentja Jahjaga.

Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, presidentja Jahjaga ka theksuar se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Shkalla e zbatimit të marrëveshjeve, ka shtuar Jahjaga, duhet të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështesë strukturat ilegale serbe në Kosovë.

Në takim, diplomaten amerikane Nuland e ka pritur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin po ashtu është biseduar për zhvillimet aktuale në vend.

Shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut me Serbinë dhe Gjykata Speciale. Është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull, në mënyrë që vendi të ecë përpara”, citohet të ketë thënë Nuland gjatë takimit me kryeparlamentarin Veseli.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Veseli, ka siguruar ndihmëssekretaren amerikane, Victoria Nuland, se Kosova do ta kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nuland është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e kryeministrit, thuhet se gjatë takimit u bisedua për proceset aktuale në Kosovë dhe më gjerë.

Kryeministri Mustafa dhe ndihmëssekretarja amerikane, Nuland, biseduan për progresin që po arrihet në Kosovë, zhvillimet në rajon, proceset integruese rajonale dhe euro-atlantike, si dhe për progresin në dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Mustafa ka theksuar se Kosova do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes euro-atlantike.

Ndër të tjera thuhet se Mustafa e ka njoftuar ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, për hapat konkret që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG