Ndërlidhjet

Liderët e eurozonës pajtohen ta kreditojnë Greqinë

  • RFE /RL

Liderët e vendeve anëtare të eurozonës e kanë arritur një marrëveshje të përkohshme me Greqinë, për një program të ri të kreditimit, duke e eliminuar rrezikun e menjëhershëm të shkatërrimit të sistemit financiar të Greqisë dhe daljes nga eurozona.

Marrëveshja, e cila përfshinë edhe “reforma serioze” dhe ndihmë, është shpallur të hënën herët në mëngjes, pas 17 orësh të bisedimeve në Bruksel.

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë mirëpritur këtë marrëveshje, por disa kanë tërhequr vërejtjen se marrëveshja ende nuk është finale dhe se Greqia duhet të ndërmarrë reforma serioze.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha se marrëveshja do ta lejojë Greqinë që të “kthehet në binarë”.

“Vendimi i jep rast Greqisë që të kthehet në binarë me mbështetjen e partnerëve evropianë”, tha Donald Tusk në një konferencë për gazetarë në Bruksel.

Ai ka theksuar se liderët janë pajtuar parimisht lidhur me këtë marrëveshje.

“Liderët janë pajtuar parimisht se ata janë të gatshëm t’i fillojnë negociatat për një program të Mekanizmit të Stabilitetit Evropian, që me fjalë të tjera do të thotë, vazhdim i mbështetjes për Greqinë”, tha zoti Tusk.

Sipas tij, tash Greqia ka rast “t’i evitojë pasojat sociale dhe politike të një finaleje negative”, por theksoi se “ekzistojnë kushte të ashpra, që duhet të plotësohen”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se në këtë rast “nuk ka fitues apo humbës”, ndërsa marrëveshjen e ka përshkruar si “aranzhim tipik evropian”.

“Komisioni gjithnjë ka insistuar në faktin se ne nuk do ta pranonim ndonjë formë të daljes së Greqisë nga eurozona. Nuk do të ketë dalje të Greqisë nga eurozona. Sa i përket substancës, ne jemi të kënaqur me rezultatin që kemi mundur ta arrijmë”, tha Jean-Claude Juncker.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se Parlamenti i Greqisë duhet ta caktojë së shpejti një seancë për t’i miratuar reformat e reja.

Ai vlerësoi se vendimi në Bruksel është “historik”.

“Negociatat e sotme ishin të gjata, por – para se gjithash – është arritur vendim historik, pasi sikur Greqia të ishte larguar nga eurozona çka do të thuhej? Se eurozona nuk ishte e aftë ta sigurojë integritetin dhe stabilitetin e saj? Çka do të thuhej për grekët?".

"Se ata nuk ishin të aftë t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre? Çka do të thuhej për Francën dhe Gjermaninë, që kanë prirje për të dhënë impulse? Se ne nuk jemi shqetësuar për të pasur takime. Eurozona do të shkonte prapa, derisa Evropa duhet të lëvizë përpara me qëllim që të ndërmarrë projekt, që i mbronë njerëzit pasi euroja mbronë”, tha Francois Hollande.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do t’i rekomandojë Bundestagut të Gjermanisë “me besim të plotë” që të autorizohet hapja e negociatave për kredi me Athinën, pasi Parlamenti i Greqisë ta miratojë programin në tërësi dhe t’i miratojë legjislacionet e para.

“Dokumenti ynë thotë, që në fillim, se besimi duhet të ripërtrihet, se ata që janë përgjegjës në Greqi, duhet ta marrin përgjegjësinë për implementimin e gjithë asaj që është vendosur këtu”, tha Angela Merkel.

Detajet e kësaj marrëveshjeje të Athinës me kreditorët ndërkombëtarë ende nuk janë publikuar.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, tha se vendi i tij ka fituar koncesione në ristrukturimin e borxhit dhe ka siguruar financim afatmesëm.

“Masat e përfshira janë ato që kanë kaluar në parlamentin grek. Ato në mënyrë të pashmangshme do të shkaktojnë efekte të recesionit. E kam një ndjenjë, besim, dhe shpresë, se 35 miliardë euro nga pakoja e zhvillimit, që ne ia dolëm ta sigurojmë, së bashku me ristrukturimin e borxhit grek dhe financim të sigurt për tri vitet e ardhshme, do të krijojnë ndjenjë në tregje dhe tek investitorët se dalja e Greqisë nga eurouzona (Grexit) është çështje e së kaluarës”, tha Alexis Tsipras, para gazetarëve në Bruksel.

Sipas tij, kjo marrëveshje paraqet “stabilitet” financiar për Greqinë.

“Marrëveshja e sotme e mbanë Greqinë në gjendje të stabilitetit financiar. Ajo jep mundësi për ripërtritje. Por, njëherësh, do të jetë një marrëveshje e vështirë për implementim”, tha Alexis Tsipras.

Tregjet financiare kanë reaguar pozitivisht pas informacionit për arritjen e marrëveshjes, pasi i ka ulur shqetësimet se Greqia ishte nisur në rrugën e saj të daljes nga eurozona.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG