Ndërlidhjet

Nuland shpreson në zgjidhjen e krizës në Maqedoni


Ekziston vullnet politik nga ana e të gjitha palëve për tejkalimin e kizës politike në Maqedoni, është shprehur ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Victoria Nuland, pas takimit që ka realizuar me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Guevski, duke shtuar se mbeten edhe disa çështje që kërkojnë zgjidhje.

Zonja Nuland ka theksuar se “është koha që kriza politike në vend të zgjidhet“ njëherësh duke i porositur autoritet e vendit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës personalisht mbështesin marrëveshjen e 2 qershorit, si dhe angazhimin e ambasadorit amerikan, Jess Bailey, dhe komisionerit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, në përpjekjet e tyre për të afruar qëndrimet e palëve, në mënyrë që vendi të kthehet në rrugën e drejtë.

“Ne fuqishëm mbështesim marrëveshjen e 2 qershorit, mbeten vetëm disa çështje të hapura të cilat duhet të mbyllen. Eurokomesari Hahn nesër do të jetë në Maqedoni dhe ne i mbështesim fuqishëm ato bisedime".

"Unë ditën e kalova duke biseduar me liderët e partive kyçe ne mes të cilëve edhe me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, për tejkalimin e dallimeve mes tyre me qëllim që Maqedonia ta vazhdojë rrugën që e ka zgjedhur, integrimin euroatlantik ku do të ketë sundim të së drejtës, lirisë së medieve, dhe të gjithë punët që janë me rëndësi për shtetin”, theksoi Viktoria Nuland.

Ajo më pas ka theksuar se sa më shpejtë që gjendet një zgjidhje për krizën e krijuar politike, aq më shpejtë Maqedonia do të kthehet në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka theksuar se me zonjën Nuland ka biseduar për raportet mes dy vendeve, sfidat rreth integrimit të Maqedonisë në NATO, pa lënë anash edhe krizën aktuale politike.

“Me zonjën Nuland kemi biseduar edhe për situatën e krijuar politike dhe sfidat në këtë drejtim. Vlerat euroatlantike janë udhëheqëse edhe në sfidat politike edhe në zgjidhje të problemeve në pajtueshmëri me rendin kushtetues dhe rregullat e demokracisë dhe sundimin e së drejtës”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Victoria Nuland, është takuar dhe liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, liderin e PDSH-së Menduh Thaçi dhe atë të BDI-së Ali Ahmeti, pas të cilave takime kanë pasuar vetëm komunikata me shkrim.

Departamenti për informim i partisë maqedonase në opozitë, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, me anë të në një komunikate të lëshuar, theksohet se temë e bisedimeve, mes liderit të kësaj partie dhe zonjës Nuland ka qenë mundësia e zgjidhjes së krizës politike në vend përmes shpërndarjes së garancive midis pushtetit dhe opozitës për aplikimin praktik të zgjidhjeve në sferat kritike.

Përderisa në një komunikatë me shkrim nga departamenti i informimit të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), njoftohet se kryetari I kësaj partie Ali Ahmeti e ka njoftuar zonjën Nuland për pozitat e BDI-së në lidhje me krizën politike në vend.

“Zoti Ahmeti e vlerësoi si të papranueshëm vazhdimin e krizës politike sepse e gjithë shoqëria është në pritje të zgjidhjes dhe vijimit të rrugëtimit tonë euroatlantik. BDI do të mbështesë reformat që rrjedhin nga rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe të zotit Pribe, sepse zbatimi i tyre e bën sistemin demokratik më të qëndrueshëm”, theksohet në komunikatën me shkrim të BDI.

Ndërkaq, në kumtesën e Partisë Demokratike Shqiptare thuhet se kryetari Menduh Thaçi ka theksuar se situata aktuale është e palogjikshme dhe në kundërshtim me atë që duhet bërë për të zgjidhur krizën politike, juridike dhe ekonomike.

XS
SM
MD
LG