Ndërlidhjet

Biden: Rusia po përpiqet të rrënojë Ukrainën


Joe Biden
Joe Biden

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë Ukrainën "me çdo mjet që mundet", duke thënë se Kremlini dëshiron të shohë ekonominë e ish-fqinjit të vet sovjetik duke u shkatërruar.

"Rusia është duke u përpjekur për të minuar stabilitetin dhe sovranitetin e Ukrainës me çdo mjet që mundet, përfshirë përpjekjen e saj për të krijuar kushte që do të shkaktojnë kolapsin ekonomik të Ukrainës", tha Biden në Uashington më 13 korrik.

"Kjo është preferenca e parë e Rusisë", shtoi Biden. "Por ne nuk mund të lejojmë që strategjia të ketë sukses".

Biden i bëri këto komente në një fjalim gjatë përurimit të Forumit të Biznesit SHBA-Ukrainë, një eveniment i organizuar nga Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, që ka për qëllim nxitjen e investimeve amerikane në ekonominë e Ukrainës, e cila është rrënuar nga lufta mes forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.

Biden përsëriti akuzat e Kievit, Uashingtonit dhe aleatëve të tyre në Bruksel, se Moska ka mbështetur rebelët, duke thënë se Ukraina është “nën rrethim".

XS
SM
MD
LG