Ndërlidhjet

Hahn pret marrëveshje për tejkalimin e krizës


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Komisari për Negociata dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, që në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ka filluar takimet me liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje e cila vendin do ta nxjerrë nga kriza e thellë politike.

Komisari Hahn i shoqëruar dhe nga euro-deputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt, fillimisht ka dëgjuar qëndrimet e liderëve të partive shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, dhe më pas ka vazhduar bisedimet me kreun e LSDM-së Zoran Zaev, ndërkohë që vijojnë bisedimet me kryeministrin Gruevski.

Pas takimit me komisarin Hahn, gjatë orëve të paradites është prononcuar vetëm lideri i partisë shqiptare në pushtet Bashkimit Demokratik për Integrim, me ç'rast ka theksuar se ka gatishmëri tek liderët politik për zgjidhjen e krizës politike.

“Bashkimi Demokratik për Integrim i ka dhënë opsionet e veta për format e zgjidhjes së krizës. Mendoj se nuk do t'i shërbejë zgjidhjes së kizës nëse unë për momentin shpalos për opinionin të gjitha opsionet. Mendoj që momenti më i rëndësishëm sot për të gjitha partitë politike është që ta tejkalojnë veten, të vendosin interesat shtetërore mbi ato partiake".

"Për mendimin tim, për aq sa unë kam pasur takime me gjithë përfaqësuesit politik, tek të gjithë ka gatishmëri për të dalë nga kjo situatë dhe ta fusin gjendjen në binarë për zgjidhje përfundimtare” ,është shprehur lideri i BDI-së Ali Ahmeti duke çmuar lartë interesimin e faktorit ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

“Ka interesim të madh nga miqtë e tanë ndërkombëtarë, dhe kjo është shumë mirë për Republikën e Maqedonisë, që do të thotë se vendi ynë është në krye të agjendës ndërkombëtare jo vetën për situatën dhe vështirësitë që kemi aktualisht, por edhe për çështjet tjera. Sot tërë ditën do të jemi bashkë dhe do të informoheni reciprokisht”, ka theksuar lideri Ahmeti.

Ndërkohë, faktori ndërkombëtar insiston që udhëheqsit politik në vend të zotohen se do të angazhohen në tërësi për marrëveshjen e 2 qershorit , në bazë të së cilës duhet të realizohen reforma thelbësore në sistemin gjyqësor, të krijohen kushte për lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit, gjithashtu parashihen ndryshime në kodin zgjedhor, me atë që kriza politike duhet të përfundojë me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat duhet të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG