Ndërlidhjet

Çrregullimet e ankthit, në rritje


Më shumë se një milion njerëz kryejnë vetëvrasje në botë, dhe kjo sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërlidhet me çrregullimet mendore.

Në Kosovë, sipas të dhënave, sëmundjet me çrregullime mendore, kanë arritur që të rangohen me rreth 35 për qind të sëmundjeve të përgjithshme.

Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për Shëndetin Mendor në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto sëmundje ndahen në tri fusha, derisa flet edhe për kushtet e trajtimit.

"Shëndeti mendor është i ndarë në tri fusha, sëmundje psiqike kronike, ku gjendja është relativisht e kënaqshme në Kosovë, ndonëse nuk jemi të mbuluar 100 për qind me barna. Sa i përket çrregullimeve të ankthit, numri është në rritje, niveli i stresit ka filluar të bëhet i pa menaxhueshëm e që po jep çrregullime të formave të ndryshme".

Zoti Rexhepi përmend edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen.

"Ajo çka po na mungon është bashkëpunimi i familjeve të personave me çrregullime mendore, psikoedukimi i familjarëve është shumë i rëndësishëm për trajtimin e rasteve kronike psikiatrike. Ndërsa tek çrregullimet e ankthit është pak a shumë shëndeti mendor i stigmatizuar, pasi që nuk e marrin guximin njerëzit që të kërkojnë ndihmë profesionale që ta kalojnë këtë fazë".

Ndërkaq udhëheqësi i zyrës së Organziatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla ka thënë se problemet që ndërlidhen me shëndetin mendor janë në rritje në tërë botën, e edhe në Kosovë.

"Duke marrë parasysh që Kosova ka kaluar edhe një periudhë mjaft të rëndë emocionale dhe shoqërore gjatë periudhës së konfliktit, problemet me shëndetin mendor janë shtuar dukshëm. Por, OBSH së bashku me institutcionet shëndetësore ka punuar në reformën e shëndetit mendor, reformë kjo që vë në qendër të vëmendjes klientin, me shërbime që janë anë e kënd Kosovës, janë afër klientit, punohet edhe me familje, në mënyrë që personat që kanë çrregullime të shëndetit mendor të riintegrohen në shoqëri".

Ndryshe, zoti Syla përmend edhe aspektet sociale që i sfidojnë personat që vuajnë nga ndonjë çrregullim mendor.

"Problemi që ende mbetet në shoqëri janë aspektet sociale, siç janë papunësia e lartë dhe pa mundësia e integrimit të këtyre personave për të gjeneruar të ardhura për vete dhe familjet e tyre".

Sidoqoftë, rritja e numrit të personave me çrregullime mendore, ka rritur edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë viteve të fundit, kanë pohuar autoritetet e rendit.

XS
SM
MD
LG