Ndërlidhjet

Rëndësia e marrëveshjes për iranianët


Festimet pas marrëveshjes
Festimet pas marrëveshjes

Pasi i kanë ndjerë sanksionet ekonomike për vite të tëra, qytetarët e zakonshëm iranianë janë të entuziazmuar t’i shohin benefitet nga lehtësimi i tyre, pas arritjes së marrëveshjes së kësaj jave.

Shumë prej tyre besojnë që marrëdhëniet ndërkombëtare do të rregullojnë gjendjen ekonomike, do të kenë mundësi të reja biznesore dhe do të shtrëngojnë lidhjet me shtetet perëndimore.

"Na është kthyer shpresa. Para kësaj jam ndier sikur nuk kishte të ardhme për gjeneratën time”, thotë 19 vjeçari Hamid në Teheran, që u gëzua jashtë mase kur marrëveshja u arrit më 14 korrik.

Disa nga sanksionet më të rënda – përfshirë ato që i kanë ndërprerë lidhjet e Iranit me sistemin financiar botëror – do të largohen nën marrëveshjen mbi sigurimet e pajtueshmërisë iraniane.

Dhe kjo, jep hapësirë për optimizëm.

"Për herë të parë në një kohë shumë të gjatë, më duket se po marr frymë lehtësisht", tha një artiste në kryeqytetin e Iranit. Duke folur në kushte anonimiteti, ajo tha se shpreson të shohë ulje të çmimeve në ushqim, barna dhe gjëra të tjera.

"Presioni ekonomik mbi njerëzit ka qenë shumë i vështirë të përballohet”, shpjegoi ajo.

Por megjithatë, artistja nuk pret ndryshime të mëdhja në jetën në Iran.

"E di se shteti nuk do të ndryshojë – do të ketë korrupsion dhe ne do të vazhdojmë të shohim shkelje të të drejtave tona”, tha ajo.

Marrëveshja do të lehtësojë kufizimet mbi transaksionet financiare ndërkombëtare - një lehtësim për iranianët, të cilët kanë hasur vështirësi në pranimin ose dërgimin e parave jashtë vendit.

Dhe iranianët që kërkojnë shkollimin në universitetet perëndimore, nuk do të jenë të përjashtuar nga studimi i "kursit në lidhje me karrierën në shkencë bërthamore, inxhinieri bërthamore, apo sektorin e energjisë", sipas tekstit të marrëveshjes.

Fushat kryesore ku është parashikuar ndryshimi pozitiv përfshijnë ndryshimin e inflacionit dyshifror dhe rënien e rial-it, monedhën kombëtare.

Një gazetar nga Teherani, tha se lehtësimi në këto aspekte “do t’i nxisë njerëzit të shpenzojnë më shumë të holla, që është mirë për tregtinë”.

Shumë njerëz, shtoi ai, kanë qenë duke e pritur marrëveshjen për të ndërmarrë vendime financiare.

"Tash që ka marrëveshje, pasiguria është larguar”, shtoi ai.

Analistët paralajmërojnë, megjithatë, se rimëkëmbja e një ekonomie të prekur thellë nga sanksionet dhe keqmenaxhimit ndër vite, do të marrë kohë.

Analisti ekonomik Mehrdad Emadi, që jeton në Londër, parashikon se do të duhen gjashtë muaj deri në një vit, që iranianët të mund të shohin ndryshime domethënëse si rezultat i lehtësimit të sanksioneve, gjë e cila do t'i jepte Iranit qasje në më shumë se 100 miliardë dollarë në të ardhurat e naftës, të ardhura këto që aktualisht janë të ngrira jashtë shtetit.

Për shembull, Emadi thotë se iranianët mund të presin rënie të inlacionit në muajt e ardhshëm.

"Disa çmime të produkteve mund të ulen. Gjithashtu, mund të shohim një zhvlerësim të vogël të monedhave të huaja karshimonedhës iraniane", tha ai.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG