Ndërlidhjet

Partitë opozitare kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa sqarime në lidhje me deklaratat e tij se do ta riprocedojë për votim në Kuvend amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Por, ata nuk kanë marrë sqarimin nga Mustafa, përderisa debati është kthyer në polemika ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ishte deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli ai i cili i përsëriti pyetjen kryeministrit Mustafa rreth Gjykatës Speciale, duke thënë se LDK edhe ashtu nuk e ka mbështetur UÇK-në, andaj edhe e mbështet pa rezerva themelimin e kësaj Gjykate.

Sipas tij, LDK dhe kryeministri Mustafa po presin që Gjykata Speciale t’i trajton disa vrasje të pandriçuara të pasluftës.

“Qytetarët e Kosovës e dinë qëndrimin e LDK-së ndaj UÇK-së. Nuk më ka habitur fare uniteti i juaj gjithëpërfshirës për votimin rreth themelimit të kësaj gjykate. Vet keni besuar, duke e pasur nën drejtim edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme se do të hidhni dritë në disa vrasje të pas luftës së disa aktivistëve të LDK-së”, ka theksuar Topalli.

Ndaj fjalimit të deputetit të Vetëvendosjes ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Ai i ka thënë Topallit se “është shumë i vogël të flasë për udhëheqjen e LDK-së”. Beqiri kërkoi përgjegjësi nga Topalli për fjalimin e tij, për të cilin tha se përmban fyerje e gënjeshtra.

“Ti patriot argumento për çdo gjë që po flet e mos fol pa lidhje. Edhe njëherë ta pata thënë. Ti jo që je i vogël, por je shumë, shumë i vogël me fol për udhëheqjen e LDK-së. Diskutimet e juaja janë provokuese dhe nëse e keni në mision, me teoritë e konspiracionit, ju vazhdoni e unë po e them se ju edhe fyeni, shantazhoni e pse jo edhe gënjeni”, ka theksuar Beqiri.

Opozita ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa më shumë transparencë edhe në lidhje me bisedimet që po i zhvillon në Bruksel me Beogradin.

Deputetja e partisë Nisma, Valdete Bajrami kërkoi që qeveria dhe kryeministri të tregojnë transparencë lidhur me marrëveshjet që po arrihen në Bruksel.

Qeveria duhet të jetë më transparente edhe ndaj deputetëve dhe t’u përgjigjet kërkesave dhe pyetjeve parlamentare, ka theksuar ajo.

“Zotëri kryeministër kërkojmë nga ju dhe ekipi negociator që të jeni transparent për të gjitha vendimet të cilat i merrni në këto bisedime sepse e keni për obligim që t’ju tregoni qytetarëve se çfarë vendime po merrni pa miratimin e tyre”, ka thënë Bajrami.

Një ditë më herët, ishte vet kryeministri Isa Mustafa ai i cili kërkoi nga të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar që të jenë të pranishëm në seancat e Kuvendit dhe t’u përgjigjen pyetjeve dhe kërkesave të deputetëve.

Seanca është përshkuar edhe me polemika e debate tjera, kurse si vendime më të rëndësishme ishin miratimi përfundimtar i Ligjit për rishqyrtimin e buxhetit të këtij viti si dhe vendimi për hapjen e një universiteti në komunën e Ferizajit.

Ndërkohë që kandidati për auditor të Kosovës, Valbon Bytyçi, i propozuar nga presidentja Atifete Jahjaga, nuk i mori votat e mjaftueshme të deputetëve që të zgjidhet në këtë post.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG