Ndërlidhjet

Tregtarët rrisin çmimet në festa, reagojnë konsumatorët


Në tregun e brendshëm të Kosovës është bërë dukuri që çdo herë në prag të festave, tregtarët të bëjnë ngritjen e çmimeve, tregojnë qytetarët.

Ata thonë se pavarësisht marketingut që e bëjnë subjektet afariste ku tregojnë se kanë bërë ulje të çmimeve për festë, ndodhë e kundërta.

Kjo ngritje e çmimeve thonë qytetarët është bërë edhe tani në festën e Fitër Bajramit.

Myrvete Hyseni, një qytetare e cila po furnizohej me produktet që i duhen asaj për përgatitjen e ushqimeve që bëhen për këtë festë, tregon se çmimet e atyre produkteve kanë shënuar ngritje.

“Çmimet kanë shënuar rritje pikërisht tani për festën e Bajramit. Unë jam amvise dhe i njoh mirë çmimet që i blejë dhe e di saktë produktet të cilat janë shtrenjtuar pa pasur nevojë”, shprehet ajo.

Edhe Synavere Shabani rreth të 50-ve tregon se ka vërejtur se ka pasur ngritje të çmimeve.

“Gjithçka është më shtrenjtë sesa që ka qenë. Kjo është e padrejtë si do të ja bëjnë njerëzit me të ardhura më të ulëta, pensionistët me pensione 100 euro”, shprehet ajo.

Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e rregullon tregun e çmimeve. Në mungesë të këtij mekanizimi, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, vazhdimisht kanë theksuar se tregtarëve po iu krijohet hapësira që të bëjnë ngritje të çmimeve pa u penguar nga askush.

Derisa, autoritetet e Kosovës, zakonisht janë arsyetuar me atë se në Kosovë ka ekonomi të lirë të tregut dhe se institucionet shtetërore nuk mund ta pengojnë një gjë të tillë.

Një e veçantë tjetër që sipas qytetarëve të Kosovës ka ndodhur gjatë këtyre ditëve është marketingu i marketeve për ulje të çmime, e që sipas Idriz Sinanit një qytetar nga Prishtina, ky është një marketing i ekzagjeruar dhe aspak real.

“Këto reklamat që po i dërgojnë nëpër banesat tona apo që shpërndahen në çdo vend janë të rrejshme. Ka pasur raste kur një produkt ka qenë në ofertë dha ka shënuar se ka pasur zbritje, por të arka çmimi ka qenë po ai i mëhershmi, shitësit arsyetohen se janë gabime, por që i bëjnë më qëllim vetëm sa për të shtyrë blerësit të blejn​ë​ produktet”, shton ai.

Edhe Artani student në Fakultetin Ekonomik, tregon se shumë herë i ka ndodhur të jetë mashtruara nëpër dyqane.

“Po më ka ndodhur që kur e kam blerë një produkt ka shënuar se është në zbritje por e kam paguar jo atë çmim, në faturën fiskale e kam parë që çmimi nuk ka figuruar me zbritje. Mendoj se për këto çështje duhet ndërhyrja e shtetit, pasi që po mashtrohemi”, shton ai.

Qytetarët e Kosovës për vite me radhë ballafaqohen me një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Të ardhurat e tyre janë të ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Paga mesatare në administratën shtetërore në Kosovë arrin në 429 euro, në sektorin privat 349 euro, derisa konsumi për ekonomi familjare në vit llogaritet të jetë 7.611 euro, kurse për kokë banori 1,386 euro ose 115 euro në muaj.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2014, tregojnë se ka rënie të konsumit për kokë banori dhe ekonomive familjare, përderisa ka rritje të konsumit të përgjithshëm.

XS
SM
MD
LG