Ndërlidhjet

Shfuqizimi i Ligjit për lustrim, rrjedhojë e dështimit të procesit


Pas një varg kritikash rreth Ligjit për lustrim, të përfshira edhe në raportin e fundit të grupit të ekspertëve të Bashkimit Evropian kryesuar nga Rajhard Pribe, propozim-ligji për ndërprerjen e Ligjit për lustrim, propozuar nga partnerët e koalicionit qeverisës VMRO DPMNE dhe BDI, ka hyrë në procedurë parlamentare.

Shfuqizimi i Ligjit për lustrim do të shqyrtohet në seancën e radhës, përkatësisht të mërkurën e javës që vjen dhe i njëjti plotësisht do të ndërpritet më 1 shtator me ç’rast do të ndërpriten edhe procedurat dhe lëndët që nuk kanë arritur të procedohen nga Komisioni deri në atë periudhë.

Stojan Andov, i cili është dhe propozues i Ligjit për lustrim, thotë se vendimi i pushtetit për të shfuqizuar ligjin është si rrjedhojë e dështimit absolut të procesit të lustrimit.

“Shfuqizimi i Ligjit për lustrim është i patjetërsueshëm, sepse i tërë procesi i lustrimit u zhvlerësua që në vitin 2012, kur shumica parlamentare shfuqizoi ligjin paraprak, të propozuar nga unë dhe i cili u miratua me konsensus. Më pas, pushteti atëkohë miratoi ligj të ri pa mbështetjen e opozitës, i cili është përdorur kryesisht për qërim hesapesh mes partish politike”, thotë Andov për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë që partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO –DPMNE, procesin e lustrimit e ka cilësuar si mjaft të suksesshëm, Andov thotë se nuk mjafton vetëm shfuqizimi i ligjit, por edhe të gjitha vendimet e Komisionit për Lustrim të ndërmarra gjatë dekadës së fundit.

“Është mirë që ky ligj do të shfuqizohet, por gjithashtu duhet të shfuqizohen dhe të gjitha vendimet që i ka ndërmarrë Komisioni për lustrim, sepse të gjitha vendimet ishin politike, përkatësisht shfrytëzohej ky ligj si armë për të disiplinuar kundërshtarët politikë”, konsideron Andov.

Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, konsideron se Ligji për lustrim nuk arriti të realizojë as minimumin e qëllimit për të cilin u miratua.

“Po ne, si ish të burgosur politikë në fillim shprehëm një shpresë se me të vërtetë nga ky ligj do të fitojmë të paktën një satisfaksion moral, se të gjithë ata të cilët na persekutuan, na ndoqën me vite, më në fund do të baltosen, por që në fillim u duk se kjo ishte një punë e dështuar. Ekzistenca e Komisionit për lustrim nuk shënoi asnjë progres, por prodhoj regres në shoqëri, duke i baltosur vetëm njerëz të vdekur ose ata që s`kanë peshë në ushtrimin e funksioneve”.

“Përderisa bashkëpunëtorët e vërtetë mbetën të paprekur, sepse punën e tyre e vazhdojnë fëmijët e tyre, sepse kjo punë, disi mund të them, këto funksione trashëgohen, ngase pushteti besimin te një person s’e fiton lehtë, duhet kohë”, thekson Pollozhani.

Ai vlerëson se për demokratizimin e shoqërisë, nevojitet një lustrim i mirëfilltë i cili mund të arrihet vetëm nëpërmjet një komisioni, që do të jetë tërësisht i pavarur nga politika.

“Unë kam një propozim, nëse kjo shoqëri vërtet dëshiron të ecë përpara dhe njëkohësisht dëshiron njëmend të shërohet nga tumoret e ish-regjimit siç janë bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete, duhet të bëhet formimi i një komisioni të ri. Ky komision i ri do të absorbojë personalitete nga jeta publike, të dëshmuara në veprimtarinë e tyre në promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Kjo është e vetmja zgjidhje, zgjidhje tjetër nuk ka”, konsideron Pollozhani.

Ndryshe, gjatë më shumë se një dekade, Komisioni për lustrim në Maqedonika arritur të lustrojë gjithsej 199 persona, 35 prej të cilëve nuk janë të gjallë.

XS
SM
MD
LG