Ndërlidhjet

logo-print

Hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes për dalje nga kriza politike e Maqedonisë, fillon të hënën me takimin e grupit punues të përfaqësuar nga katër partitë politike, VMRO DPMNE, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, për të shqyrtuar rekomandimet e përcaktuara në raportin e grupit të ekspertëve të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Reinhard Pribe që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve.

“Grupi punues që është formuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nga ekspertë të institucioneve relevante si dhe përfaqësues të partive politike do të angazhohet për të anashkaluar të gjitha anomalitë të cilat i kanë përcjellë apo kanë reflektuar në proceset zgjedhore .Ajo që është më me prioritet është spastrimi i listës zgjedhore” bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Subhi Jakupi nënkryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor duke nënvizuar se do të shqyrtohen të gjitha propozimet që vijnë nga subjektet politike të cilat kanë të bëjnë me reformat në procesin zgjedhor.

Ndryshe për reformimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nevojitet të pritet deri në shtator kur dhe është paraparë kthimi i opozitës maqedonase në parlament e cila do të duhet të votojë ndryshimet e nevojshme në kodin zgjedhor.

Deri atëherë, bisedimet në grupet punuese do të fokusoheshin në pastrimin e listës zgjedhore përkatësisht mënyrën se si do të pastrohet lista zgjedhore, proces ky që duhet të përfundojë tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.

Asociacioni qytetarë “MOST”, i cili ka ndjekur proceset zgjedhore me rreth dy mijë vëzhgues konsideron se ka dy mënyra të cilat do të mund të kontribuonin për krijimin e një liste më të saktë zgjedhore.

“Nëse nuk arrihet ujdi për ndryshime thelbësore për hartimin e listës zgjedhore, si për shembull përmes regjistrimit aktiv të votuesve atëherë do të nevojitet të bëhet një kontroll i detajuar administrativ, listë zgjedhore në tërësi, dhe më pas ajo listë zgjedhore duhet t’i nënshtrohet kontrollit në teren në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të OSBE-së,” thekson Darko Aleksov.

Nga ana tjetër Sonja Stojadinoviq, analiste për çështje politike, thotë se regjistri zgjedhor duhet të kontrollohet në teren duke u realizuar kontrolli derë më derë ngase praktika ka dëshmuar se në këto lista figurojnë persona të vdekur, persona që votojnë në dy ose më shumë njësi zgjedhore, si dhe persona që posedojnë më shumë karta identiteti.

Në këtë drejtim, thotë Stojadinoviq, mund të ndihmojë shumë sektori civil.

“Organizatat joqeveritare të cilat kanë ndjekur proceset zgjedhore dhe të njëjtatkanë nxjerrë në pah më shumë anomali rreth zgjedhjeve kanë dëshmuar se posedojnë kuadër profesional përkatësisht cilësor të cilët do të mund të ndihmojnë në spastrimin e listave zgjedhore për tu kthyer besimi i qytetarëve për realizimin e zgjedhjeve në një frymë fer dhe demokratike”, konsideron Sonja Stojadinoviq.

XS
SM
MD
LG