Ndërlidhjet

logo-print

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, ditën e hënë, kanë hedhur poshtë lajmin e publikuar në disa portale se në afërsi të liqenit të Badovcit, ditën e diel, organet e rendit kanë gjetur eksploziv.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “Policia e Kosovës, si vazhdimësi e punës dhe ofrimit të sigurisë, njofton se në orët e pasdites, në një lokacion afër Badovcit ka gjetur armë me municion dhe disa gjëra tjera si rroba, por që nuk kanë të bëjnë me eksplozivin e as me gjëra tjera të dyshuara të kësaj natyre”.

Kelani nuk ka sqaruar nëse ka pasur të arrestuar lidhur me rastin, por ka theksuar se “Policia e Kosovës, siguron se po punon intensivisht drejt zbardhjes së rastit dhe ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”.

Ndryshe, gjetja në afërsi të liqenit të Badovcit e armës së gjatë, municionit dhe rrobave, të cilat nga policia nuk janë specifikuar nëse janë uniforma ushtarake ose jo, ka ndodhur vetëm disa ditë pas arrestimit të 5 personave të dyshuar për terrorizëm.

Tre prej tyre ishin arrestuar po ashtu te liqeni i Badovcit.

Të pesë të dyshuarve, Gjykata Themelore ua kishte shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërkaq që edhe pas ankesës së tyre në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit, të hënën i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit ndaj pesë personave të dyshuar për veprën penale.

Arrestimet e fundit me dyshimin e veprës penale të terrorizmit, si dhe kërcënimet javë më parë nga grupi militant Shteti Islamik ndaj Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës po shihen si veprime të rrezikshme për Kosovën.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet t'i qasen seriozisht kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi.

“Çdo kërcënim, po të ishte vetëm verbal nuk do të ishte asnjëherë kërcënim. Kështu që kërcënimet verbale, zakonisht, apriori u paraprijnë kërcënimeve edhe faktike. Kosova nuk është cak i vetëm i kërcënimeve të terrorizmit global, por as nuk duhet të jetë e vetme në luftimin e kësaj të keqe globale që po ndodh rreth nesh”.

Deputeti Selimi, theksoi se Kosovës tashmë i janë shkaktuar dëmet e para nga situata e krijuar rreth ekstremizmit islamik dhe kërcënimet që vijnë nga ky ekstremizëm.

Sipas tij, Kosova është në fazën e njohjeve nga shtetet tjera dhe dëmtimi i imazhit të saj, si një vend që mund të jetë i kërcënuar apo si vend që mund të kërcënojë sigurinë rajonale, e dëmton këtë proces.

Burim Ramadani, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kosova, ka kaluar nga fazat e kërcënimit të përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm në fazën kur sulmet terroriste mund të jenë prezente në vend, si pjesë e Ballkanit.

“Ballkani paraqet rëndësi strategjike dhe operacionale për lëvizjet ekstremiste dhe terroriste që funksionojnë nën ombrellën e IS-it (grupit militant Shteti Islamik) dhe asnjëri prej shteteve dhe popujve, veç e veç, në Ballkan, nuk e ka vlerën speciale aq sa e ka territori i Ballkanit, si portë hyrëse ose si urë ndërlidhëse me Evropën. Realisht, është i vetmi territor ose rajon që i mundëson qasje më të lehtë drejt Evropës, respektivisht ndaj civilizimit perëndimor”.

Kosova, tashmë është pjesë e koalicionit të vendeve që luftojnë kundër terrorizmit.

Por, deputeti Selimi vlerëson se institucionet e sigurisë në Kosovës, duhet të gëzojnë përkrahje më të madhe politike në luftë kundër terrorizmit.

“Nëse institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e autorizuara shtetërore të sigurisë, nuk do t’i përziejnë agjendat politike në këtë temë, normalisht që Kosova do të kishte kapacitete, jo si e vetme, por si partnere me të gjitha vendet tjera, për ta luftuar këtë të keqe që është globale".

"Duket që institucionet e Kosovës po e shfrytëzojnë - për agjenda dhe tema të ndryshme politike dhe jo vetëm- një situatë të tillë, e cila po e dëmton edhe luftën e institucioneve të autorizuara të sigurisë karshi këtij fenomeni”.

Edhe Ramadani vlerëson se duhet të punohet më tepër në koordinimin e institucioneve të vendit në luftë kundër terrorizmit.

“Vërehet qartë një moskoordinim ndërinstitucional dhe ky është elementi i parë që institucionet e Kosovës duhet, me shpejtësi, ta përmirësojnë”.

Ndryshe, kohë më parë, zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe njohës të rrethanave të sigurisë në vend, patën theksuar se kërcënimet e grupit militant Shteti Islamik ndaj vendeve të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, synojnë mbjelljen e frikës tek qytetarët, por ato kërcënime nuk duhet neglizhuar.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG