Ndërlidhjet

logo-print

Liria e mediave ka rëndësi të madhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, andaj partitë, e në veçanti opozita dhe shoqëria civile, duhet të bëjnë përpjekje maksimale që pavarësia e mediave të zë vend të veçantë në bisedimet për kthimin e sundimit të së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike, vlerësojnë njohësit e çështjeve mediatike në vend.

Zhaneta Trajkoska nga Shkolla e Lartë e Gazetarisë dhe raporte me opinionin, thotë se marrëveshja politike e arritur mes partive duhet të përfshijë edhe çështjen e mediave, të cilat pas skandaleve të zbardhura nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, u dëshmua se janë në shërbim të plotë të pushtetit aktual.

“Nëse shikojmë mënyrën se si informohen qytetarët e Maqedonisë do të vijmë në konstatimin se televizionet private në nivel kombëtar dhe televizioni publik, nuk dallojnë aspak në punën e tyre".

"Ne kemi televizione nacionale që definitivisht janë proqeveritare dhe që financohen përmes fushatave që janë në interes publik, dmth, me para të qeverisë, atëherë është më se e qartë se qytetarët nuk mund të jenë të informuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur. Kështu është gjendja edhe me këshillin për radiodifuzion, i cili është nën kontrollin e pushtetit, pra nga ky trup nuk mund të pritet të bëjë kontrollin e punës së mediave”, thotë Trajkovska duke u ndalur në punën e televizionit publik, i cili tani një kohë të gjatë është në shërbim të partive në pushtet.

Ajo nuk beson në ndryshimin e gjendjes së këtij shërbimi sikur edhe të ketë vullnet nga ana e partive politike ndërsa një pjesë të fajit ia hedh edhe vet gazetarëve.

”Ajo që mua më brengos është fakti se edhe sikur të ketë vullnet politik dhe ndryshime në televizionin publik, mendoj se mënyra më të cilin ai punon vite me radhë e ndoshta edhe dekada të tëra, shumë vështirë është të priten ndryshime, pasi kjo në radhë të parë ka të bëjë me mënyrën se si punojnë gazetarët dhe vetcensurën që ata praktikojnë në punën e tyre”, thotë Trajkoska.

Njohësi i çështjeve të mediave dhe komunikimit, Nazim Rashidi, thotë se mediat duhet të jenë pjesë e bisedimeve mes partive politike pasi nga informimi i tyre mund të konstatohet se ato më së paku janë në shërbim të informimit të drejtë të qytetarëve.

“Fakti që mediat nuk përmenden në marrëveshjen mes partive lë shumë dilema, jo për faktin se do të bëhet më keq se nuk ka ku të shkojë më keq se tani, por për faktin se sidomos opozita do të duhej që të kishte theksuar këtë element sepse në sytë e saj, por edhe të opinionit më të gjërë është ajo që humbet nga mungesa e lirisë së shprehjes”, thekson Rashidi duke shprehur besimin se kjo çështje e rëndësishme nuk do të lihet anash dhe se do të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve mes partive në vjeshtë.

“Mendoj se pak më vonë, në shtator, kjo çështje sërish do të vihet lartë në agjendë sepse pa një funskionim më normal të ambientit mediatik nuk mund të kemi një shoqëri demokratike ose një shoqëri të mirëinformuar”, thotë ai.

Në raportet e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Maqedonia radhitet në grupin e shteteve me liri të kufizuar, apo të atyre me regjime totalitare.

Në raportin e organizatës, “Reporterët pa kufij”, Maqedonia renditet në vendin e 117-të, apo 5 vende më lartë se në raportin paraprak. Rënie të theksuar liria e mediave ka regjistruar edhe në raportin e Freedom House duke e pozicionuar në fund të listës së vendeve të Ballkanit.

XS
SM
MD
LG