Ndërlidhjet

Kerry: Largimi i sanksioneve, pas gjashtë muajsh

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, ka thënë se sanksionet ndërkombëtare për Iranin, mund të fillojnë të hiqen gjashtë muaj nga tani.

"Janë disa gjëra të sigurta që Irani duhet t’i bëjë dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore duhet t’i bëjë, dhë këto gjëra duhet të zgjidhen -- të gjitha -- para se sanksionet të hiqen”, tha Kerry në një intervistë për Zërin e Amerikës.

"Pra mund të ndodh pas rreth gjashtë muajsh apo më shumë -- është vështirë të thuhet; varet se çfarë do të ndodhë. Por, nuk mendoj se do të të ndjehet [largimi i sanksioneve] para kësaj”, shtoi Kerry.

Para se sanksionet të largohen, një numër ngjarjesh jashtë Iranit duhet të ndodhin.

Në veçanti, Kongresi amerikan ka 60 ditë për të votuar marrëveshjen dhe mosmiratimi mund të provokojë një betejë të zgjatur të vetos me presidentin Barack Obama.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi më 19 korrik se ai kishte dërguar marrëveshjen me Iranin për shqyrtim në Kongres.

Kerry, në intervistën me VOA, sugjeroi se e ardhmja e marrëveshjes duhet të bëhet e qartë shumë shpejtë.

"Shtatori do të jetë momenti kritik kur njerëzit do të mësojnë nëse kjo marrëveshje do të implementohet apo jo”, tha ai.

Komentet e Kerryt për Zërin e Amerikës erdhën në të njëjtën ditë kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi unanimisht marrëveshjen për të cilën ranë dakord fuqitë botërore dhe Irani, në fillim të këtij muaji.

Ekziston një periudhë 90-ditëshe, para se sanksionet të mund të largohen, pas votimit të Këshillit të Sigurimit.

Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit - Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara - plus Gjermania, më 14 korrik njoftuan marrëveshjen për të frenuar programin bërthamor të Teheranit, në këmbim për lëhtësim të sanksioneve. Marrëveshja u arrit në Vjenë, Austri.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit që u miratua me një votim 15-0 më 20 korrik, përfundon shtatë rezolutat e OKB-së që vendosnin sanksione ndaj Iranit që nga viti 2006.

Në shkëmbim të largimit të disa sanksioneve nga SHBA-të, BE-ja dhe OKB-ja, Irani duhet të pranojë limite afatgjata në programin e tij bërthamor.

Marrëveshja ka për qëllim të ulë frikën se programi bërthamor i Iranit ishte me qëllim të krijimit të një bombe atomike, edhe pse Teherani ka deklaruar prej kohësh se ishte duke zhvilluar program paqësor.

Obama përshëndeti miratimin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke thënë se kjo tregon se marrëveshja kishte mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Diplomacia “deri tani ka qenë qasja jonë më e fortë për të siguruar që Irani nuk do të bëhet me armë bërthamore”, ka thënë ai, duke shtuar se beson se Kongresi do t’i kushtojë vëmendje “konsensusit me bazë të gjerë” të kësaj marrëveshjeje.

Anëtarët dypartiak skeptik të Kongresit, kanë reaguar duke kritikuar vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të lejuar Kombet e Bashkuara të kenë fjalën e parë në marrëveshje.

Republikanët, që kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit amerikan, e quajtën votën e OKB-së një “fyerje për popullin amerikan", për shkak se ajo u zhvillua para përfundimit të periudhës së shqyrtimit nga Kongresi.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, aprovoi marrëveshjen më 21 korrik, dhe disa anëtarë bënë menjëherë lëvizjen për të ringjallur marrëdhëniet tregtare me Teheranin.

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, tha më 21 korrik se ai do ta vizitojë Teheranin “javën tjetër”, me ftesën e homologut të tij Mohammad Javad Zarif, duke shtuar se do të mbajë takim edhe me presidentin iranian, Hassan Rohani.

Ministria e Jashtme e Kinës, citoi presidentin kinez Shi Xhinping t’i ketë thënë Obamës më 21 korrik se Pekini mund të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe grupe të tjera, për t’u siguruar se marrëveshja po implementohet.

Megjithatë, marrëveshja vazhdon të nxisë kundërshtime në disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Izraelin dhe Arabinë Saudite.

Izraeli i tërhoqi vërejtjen Sekretarit amerikan për Mbrojtje, Ash Carter, gjatë vizitës së tij më 20 korrik se ka frikë se pakti do të transferohet në më shumë fonde për Hezbollahun, një grup militant i mbështetur nga Irani, dhe armiq tjerë të Izraelit.

Më 18 korrik, lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se marrëveshja bërthamore nuk do të ndryshojë politikat e Teheranit karshi qeverisë “arrogante” të SHBA-ve.

Në një intervistë më televizionin shtetëror të Arabisë Saudite, Al-Arabiya, John Kerry i quajti deklaratat e Khameneit, në të cilat ai u betua për të kundërshtuar politikat amerikane në Lindje të Mesme, “shumë shqetësuese”.

Politikanët e linjës së fortë të Iranit, kanë shprehur shqetësime se hetuesit e OKB-së do të kenë qasje në rajone të ndjeshme ushtarake, nën rezolutë, që bëhet ligj ndërkombëtar.

Marrëveshja bërthamore fillimisht duhet të aprovohet nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Iranit, dhe pastaj edhe nga Khamenei.

Përgatiti: Gresa Kraja

XS
SM
MD
LG