Ndërlidhjet

Carter i siguron aleatët për marrëveshjen atomike me Iranin


Ashton Carter (majtas) dhe Benjamin Netanyahu gjatë takimit në Jerusalem
Ashton Carter (majtas) dhe Benjamin Netanyahu gjatë takimit në Jerusalem

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, sot ka synuar t’i siguroj përsëri aleatët në Lindjen e Mesme, për marrëveshjen atomike me Iranin, gjatë turneut rajonal në Izrael, Jordani dhe Arabinë Saudite.

Zoti Carter është takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është kritik i ashpër i marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Përkundër mospajtimeve, zyrtari i lartë amerikan, Ashton Carter, ka ofruar siguri se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në ballafaqim me ndikimin iranian në shtetet që e rrethojnë Izraelin.

Ai sot ka udhëtuar për në Jordani.

Duke folur në një bazë ajrore jordaneze para trupave nga gjashtë shtete, që e formojnë aleancën kundër militantëve të Shtetit Islamik, zoti Carter tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë “përkushtim të përbashkët për ta kundërshtuar ndikimin djallëzor iranian në rajon”.

Nesër Ashton Carter qëndron në Arabinë Saudite, ku pritet që të dominojnë shqetësimet e këtij vendi lidhur me marrëveshjen atomike me Iranin dhe mbështetjen e Iranit për militantët shiitë në rajon.

Vendet e Gjirit, që udhëhiqen nga sunitët, kanë shqetësime për bisedimet e Shteteve të Bashkuara me udhëheqjen shiite të Iranit.

XS
SM
MD
LG