Ndërlidhjet

Mbi 13 mijë qytetarë shpërblehen për kuponët fiskal


Mbi 13 mijë qytetarë të Kosovës i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, për të grumbulluar kuponët fiskal, në mënyrë që të mund të luftojnë evazionin fiskal në vend.

Sami Salihu, menaxher i lartë i Shërbimit dhe Edukimit të tatimpaguesve në Administratën Tatimore të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar se projekti për grumbullimin e plikove me kuponë fiskal nuk ka hasur në ndonjë vështirësi deri më tani.

“Deri më sot, gjithsej pliko të dërguara me kuponë fiskal janë 13.096, pra janë pliko që kanë aplikuar qytetarët. Gjithsej kuponë të dërguar janë 787.752, gjithsej pliko të cilat janë dorëzuar fizikisht janë 9.835 pliko, ndërsa komisioni në Administratën Tatimore ka verifikuar 3.958 pliko, pra për këta qytetarë ka shënime të gatshme dhe së shpejti pritet t’i rimburësojmë mjetet”, ka sqaruar Salihu.

Në muajin prill të këtij viti, në Kosovë kishte hyrë në fuqi një udhëzim administrativ, i cili parasheh që për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, do të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskal në muajin pasues të çdo tremujori.

Për blerjet prej 250 deri në 500 euro, do të kthehen nga 10 euro prej TVSH-së që kanë paguar. Për blerjet prej 501 deri në 800 euro, kthehen nga 15 euro, dhe për blerjet mbi 800 euro do të kthehen nga 20 euro.

Sidoqoftë, qytetarët, tregojnë se ka qenë një procedurë e vështirë mbledhja e kuponëve fiskal, ndërkohë shpërblimi, thonë ata, është i ulët.

Valbona Kelmendi tregon se në shumë markete është dashur ta kërkojë kuponin fiskal.

“Po kam bërë mbledhjen e kuponëve fiskal edhe pse ka qenë një procedurë e vështirë, tërë kohën është dashur ta kërkoj kuponin fiskal nga marketet nga dyqanet ku jam furnizuar, por megjithatë i kam mbledhur të shoh tani si do të shkojë procedura”, thotë ajo.

Shuma e rimbursuar, për qytetarët e Kosovës, të cilët mbledhin kuponët fiskal nga blerjet që ata bëjnë, thekson Kelmendi, është shumë e ulët dhe aspak inkurajuese.

“Është një shumë minimale që edhe për konsumatorët tjerë nuk ka ndonjë interesim për të bërë mbledhjen e këtyre kuponëve. Në të ardhmen dyshoj se mund t’i mbledh, por po pres që mos ATK-ja do ta rris shumën e rimbursimit”, shton ajo.

Projekti për grumbullimin e kuponëve fiskal ka bërë të ditur Sami Salihu, nga Administrata Tatimore e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmën.

“ATK vlerëson shumë këtë projekt sepse si i tillë ka qëllime të mira , siç është vetëdijësimi i qytetarëve për tu pajisur me kuponë dhe vetë qytetari të jetë ai i cili mund të kontribuojë për shtetin e Kosovës dhe buxhetin e vendit”, shton ai.

Ndryshe, edhe pse ka vite që ka filluar procesi i fiskalizimit për bizneset e Kosovës, deri më tani as gjysma e tyre nuk janë pajisur me mjetet elektronike fiskale.

Sipas të dhënave zyrtare të vitit të kaluar, mbi 130 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 20 mijë biznese me afër 26 mijë pajisje të instaluara në këto biznese.

XS
SM
MD
LG