Ndërlidhjet

Kosova nuk është çerdhe, por cak i terrorizmit


Kosova është vend i sigurt karshi çfarëdo tendence që mund të paraqitet nga elemente të terrorizmit, kanë vlerësuar zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, ka theksuar se Policia e Kosovës ka kapacitete të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi, ashtu sikurse edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), me të cilën, siç ka thënë ai, kanë bashkëpunim të ngushtë.

“Unë me përgjegjësi mund të them që Kosova është dhe vazhdon të jetë vend i sigurt karshi çfarëdo tendence që mund të paraqitet nga këto elemente. Policia e Kosovës ka kapacitete të nevojshme, edhe agjencitë e tjera, respektivisht AKI-ja ka kapacitetet e saja, por natyrisht që ne duhet të bëjmë vlerësime dhe analiza koherente mbi zhvillimet, mbi trendet dhe mbi kërcënimet aktuale dhe ato që mund të pasojnë”, ka theksuar Maxhuni.

Ai gjithashtu ka dhënë përgjigje në pyetjen e anëtarit të këtij komisioni, Rexhep Selimi, lidhur me atë se a është Kosova cak i radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Sipas Maxhunit, përgjigja bazohet në vlerësimet e Policisë së Kosovës.

“A është Kosova çerdhe e terrorizmit, radikalizmit të dhunshëm apo target? Vlerësimet tona është se Kosova nuk është çerdhe, e as nuk është promovuese, por është cak, është target”, ka theksuar Maxhuni.

Pas kërkesës së deputetit Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, gjithashtu anëtar i këtij Komisioni Parlamentar, që të sqarohet çështja se pse është anuluar koncerti për shënimin e 4 korrikut, ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Maxhuni ka theksuar se Policia e Kosovës nuk ka informacione lidhur me këtë çështje.

“Cili ka qenë shkaku kryesor apo arsyeja përfundimtare për ta anuluar koncertin që ka qenë i paraparë për ditën e pavarësisë së SHBA-ve, kjo gjë nuk është e njohur për ne. Është një vendim që është marrë jashtë kompetencave të Policisë së Kosovës”, ka theksuar Maxhuni.

Drejtori i Policisë së Kosovës ka theksuar gjithashtu se lidhur me rastin e arrestimit të 5 personave që ndërlidhen me rastin te liqeni i Badovcit dhe të cilët janë arrestuar si të dyshuar për terrorizëm, i gjithë suksesi ka qenë e arritur e përbashkët e qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë një vizite në komunën e Podujevës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë syqelë dhe të denoncojnë çdo përpjekje të radikalizmit fetar.

“Të denonconi çdo tendencë për radikalizim, kudo që e hetoni. Është obligim qytetar, nacional dhe patriotik, ua them me plot gojën. Kudo që të hetoni tendenca, shpërfaqje të thirrjeve, diskurseve ekstremiste, t'i denonconi ato, sepse nga ky vend i vogël, në luftrëra të huaja të dhunshme, terroriste, kanë marrë pjesë mbi 300 qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Hyseni.

Edhe ministri Hyseni, por edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kanë theksuar se që nga viti 2012 e deri më tash në luftëra të huaja, përkatësisht në Siri, kanë marrë pjesë rreth 300 qytetarë të Kosovës.

Por, Maxhuni ka sqaruar se tash për tash, numri aktual i personave që dyshohet se tani marrin pjesë në zhvillimet apo aktivitetet e ndryshme në luftën e Sirisë është rreth 100 persona.

XS
SM
MD
LG