Ndërlidhjet

logo-print

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, bën të ditur se të enjten ka arrestuar dy persona si të dyshuar për vrasjen e Xhamail Rexhepit, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur si komandant Shqiponja.

Arrestimet pasojnë pas incidentit në Kumanovë që i ka paraprirë zënka mes anëtarëve të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), lidhur me zgjedhjen e kryetarit të degës partiake në Kumanovë, ku mbetën rëndë të plagosur Gani Demiri dhe Shefki Rexhepi, si dhe u vra Xhemail Rexhepi.

“Mbrëmë në Kumanovë janë arrestuar dy persona dhe dhjetëra të tjerë janë marrë në pyetje, ndërkohë që hetimet për incidentin e djeshëm vazhdojnë. Akoma hetohen motivet që çuan deri tek ky incident, që dje fillimisht ka filluar me një zënkë verbale mes dy grupeve , e cila zënkë ka përfunduar me përdorimin e armëve para kafiterisë “Shtëpia Jonë” në Kumanovë”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Valentina Nikollovska, zëdhënëse e dikasterit të Policisë në Kumanovë.

Pas këtij incidenti, partia shqiptare në pushtet (BDI), përmes një deklarate me shkrim ka shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike që ndodhi në Kumanovë.

“Bashkimi Demokratik për Integrim, shpreh ngushëllime për familjarët që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike, kurse të lënduarve u dëshiron shërim sa më të shpejt. BDI fton organet kompetente që të zbardhin deri në fund këtë ngjarje tragjike”, theksohet në reagimin me shkrim të BDI-së.

Ndryshe zënkat mes anëtarëve të BDI-së në Kumanovë janë të pranishme tash e një kohë të gjatë, ndërkohë që para dy muajve para selisë së BDI-së nga autorë të panjohur ishte hedhur një mjet shpërthyes, përderisa vitin e kaluar anëtarët e kësaj partie gjatë një zënke në Komunën e Sarajit përdorën armë zjarri, por mes tyre nuk mbeti asnjë i lënduar.

Njohës të çështjeve politike thonë se dhuna në mes aktivistëve të BDI-së është si rrjedhojë e luftës e cila tanimë një kohë të gjatë po zgjat mes krahut të idealistëve siç quhen pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe krahut burokratik.

“Kjo dukuri i ka rrënjët tek një problem politik i cili tanimë një kohë të gjatë është i pranishëm në një organ politik siç është Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila është e njohur me mos kompetencën dhe mos efikasitetin e vet sa i përket organizimit të degëve të partisë në fjalë. Kjo parti dje aspak nuk e dënoi dhunën e cila për motiv kishte qëllimet politike që është karakteristikë themelore e organizatave vetëm terroriste”, konsideron Ramadan Ramadani, analist politik njëherësh dhe drejtues i organizatës joqeveritare NISMA.

Ai më pas theksoi se mungesa e demokratizimit të partive politike shqiptare të cilat janë të përfaqësuara në parlament, ka bërë që elektorati shqiptarë në Maqedoni gjithnjë e më shumë të abstenoj gjatë proceseve zgjedhore.

“Të mos harrojmë se numri ivotuesve shqiptarë gjithnjë e më shumë është në rënie, kështu që në ciklet e fundit zgjedhore ky numër nuk kalon as 40 për qind të votuesve shqiptarë”, thekson Ramadani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG