Ndërlidhjet

Gjysma e “Mbrojtjes civile”, jashtë integrimit


"Mbrojtja civile"

"Mbrojtja civile"

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen, përkatësisht, integrimin në institucione të 483 personave nga formacioni i ashtuquajtur “Mbrojtja civile” që vepron në veri të Kosovës, ka nxitur reagime të liderëve serbë në veri të vendit.

Ministrja e dialogut me Serbinë e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ditë më parë ka theksuar se ky vendim është në përputhje me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për shpërbërjen e “Mbrojtjes civile”.

“Qeveria e Kosovës me këtë marrëveshje është zotuar për të integruar 483 individë që kanë qenë pjesëtarë të kësaj strukture”, ka thënë ministrja Tahiri.

Por, Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut, i cili i takon taborit të kundërshtuesve të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se autoritetet e tanishme në Beograd, me veprimet e fundit, kanë treguar se në vazhdimësi po heqin dorë nga serbët dhe institucionet e Serbisë në Kosovë.

“Në bazë të marrëveshjes së Brukselit, do të integrohen diku rreth 480 pjesëtarë, të cilët do të marrin vende të përhershme pune, ndërkohë që pjesëtarë të ‘Mbrojtjes civile’ janë më shumë se 800. Kjo nënkupton se gati gjysma e tyre do të mbeten në rrugë dhe shtrohet pyetja se cili do të jetë fati i tyre njerëzor dhe material. Prandaj, unë them se të gjitha këto janë veprime politike jo të ndershme”, ka theksuar Jakshiq.

Reagime të përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës, lidhur me shpërbërjen, përkatësisht integrimin e pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtjes civile”, ka pasur edhe para vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Kohë më parë, kryetarja e Kuvendit të komunës së Mitrovicës së veriut, Ksenija Bozhoviq, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se pasi që është arritur marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo e përkrah integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por, sipas saj, duhet pasur kujdes në këtë proces.

Këta njerëz, të cilët madje nuk janë pyetur për këtë integrim dhe nuk kanë marrë pjesë në bisedime, brengosen për atë që të mos mbesin pa punë. Numri i tyre është mbi 700. Duhet të merren në konsideratë këta njerëz, të cilët me familjet e tyre jetojnë këtu”.

“Ata duhet të punësohen dhe të mos e bëjmë gabimin e njëjtë sikurse me integrimin në Policinë e Kosovës, jashtë të cilës kanë mbetur më shumë se 500 njerëz. Ata njerëz kanë protestuar dhe po protestojnë ende”, ka thënë Bozhoviq.

Në anën tjetër, Jakshiq ka vlerësuar se përmes shpërbërjes së “Mbrojtjes civile” dhe integrimit të pjesëtarëve të saj në institucionet e Kosovës, shqiptarët po e realizojnë qëllimin e tyre politik.

Ata po e rrumbullakojnë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kjo është prekëse, e trishtueshme dhe e mjerueshme, por e tillë është edhe elita politike në Serbi. Serbët në këto hapësira kanë mundur të luftojnë edhe kundër UNIMK-ut, pastaj kundër KFOR-it, por faktikisht, nuk mund të luftojnë kundër shtetit të tyre, i cili ua ka futur thikën në shpinë”, ka theksuar Jakshiq.

E ashtuquajtura “Mbrojtja civile” është konsideruar nga institucionet e Kosovës si një formacion ilegal i sigurisë, për të cilin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është arritur marrëveshja që të shpërndahet dhe të vijojë më pas procesi i integrimit.

Por, pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me të ashtuquajturën “Mbrojtje civile”, tashmë ka reaguar Lista Serbe, e cila është partnere në koalicionin qeverisës në vend.

Ajo e ka quajtur vendimin e ekzekutivit të vendit “veprim të ngathët, që temat me më pak rëndësi, t’i paraqesë si prioritet, i cili duhet të zgjidhet me forca të përbashkëta, me konsensus të plotë dhe me marrëveshje politike”.

Në komunikatën e Listës Serbe, të nënshkruar nga kryetari i saj, Aleksandar Jabllanoviq, është thënë gjithashtu se ashtuquajtura “ “Mbrojtje civile” nuk ka qenë kurrë dhe nuk është strukturë paralele”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se integrimi i pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, do të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës, përkatësisht Ligjin për shërbimin civil të Kosovës, ku janë parë të gjitha normat për integrim, përfshirë edhe verifikimet përkatëse të sigurisë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG