Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Marrëveshja përcakton rrugëtimin evropian


Njohësit e çështjeve evropiane konsiderojnë se elitat politike me shumë kujdes duhet t'i qasen implementimit me përpikëri të marrëveshjes për të kapërcyer krizën politike në Maqedoni, në të kundërtën, vënë në rrezik rekomandimin e KE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mersel Billalli, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se udhëheqësit politik duhet t'i lënë anash inatet dhe veçanërisht interesat e ngushta partiake kur bëhet fjalë për jetësimin e marrëveshjes politike, sepse nga ajo drejtpërdrejtë varet dhe rekomandimi për Maqedoninë.

“Se a do të vazhdohet edhe këtë vit rekomandimi i KE-së nuk varet tanimë nga kriteret standarde, por nga plotësimi i kritereve politike të cilat drejtpërdrejtë lidhen me marrëveshjen e fundit mes të gjitha palëve e cila ka të bëjë me zgjidhjen e kontesteve politike".

"Pra nëse palët tregojnë gatishmëri që realisht ta implementojnë këtë marrëveshje, atëherë edhe pse pa meritë, Maqedonia do ta ruaj rekomandimin për fillimin e bisedimeve, në të kundërtën, nëse nuk tregon gatishmëri dhe vullnet politik, jo vetëm se Maqedonia do të humb rekomandimin, por njëkohësisht Maqedonia do të ndeshet me shumë pasoja dhe epilog destabilizues brenda vendit” thekson Mersel Billalli.

Analistët politik gjithashtu theksojnë se çdo zvarritje mund të jetë fatale për marrëveshjen politike ngase afati kohorë për përmbushjen e saj është shumë i shkurtër.

Mitko Gaxhovski thotë se asgjë nuk është e vështirë nëse aktorët politik shprehin vullnet dhe angazhohen në përmbushjen e detyrimeve të cilat shumë qartë janë të definuara në marrëveshjen politike të firmosur nga katër liderët politik me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtarë, por siç shprehet ai, fatkeqësisht ky vullnet që në fillim duket se mungon.

“Nëse gupet punuese vazhdojnë të punojnë me këtë intensitet që kanë filluar, mendoj se shumë vështirë do të mund të realizohet ajo për të cilën kanë rënë në ujdi vetë partitë politike përkatësisht e kanë firmosur si marrëveshje".

"Duke marrë parasysh festat që janë në fillim të gushtit dhe pushimet vjetore të cilat ndikojnë në prolongimin e takimeve të grupeve punuese , bëjnë të jemi skeptik sa i përket realizimit të detyrimeve të përcaktuara për Maqedoninë edhe në raportin e grupit të ekspertëve të BE-së kryesuar nga Reinhard Pribe” thekson Gaxhovski.

Ndryshe, grupi punues i përbërë nga përfaqësuesit e katër partive politike, sot do të takohet për herë të dytë, për të debatuar rreth Kodit Zgjedhor, që përfshinë edhe ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet, spastrimin e listës zgjedhore si dhe votimin e diasporës që është edhe një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes politike.

XS
SM
MD
LG