Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik në Kosovë nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar.

Madje autoritetet kompetente, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ekspertë të ekonomisë, kanë shpresuar shumë se ekonomia do të zhvillohet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke aluduar gjithmonë në rritjen e investimeve të huaja.

Por, situata politike, korrupsioni prezent pothuajse në të gjitha institucionet, burokracia, politikat jo adekuate për zhvillim ekonomik, mbingarkesa e sektorit publik nga punëtorët jo të kualifikuar, ka bërë që ekonomia e Kosovës të stagnojë edhe shtatë vite pas shpalljes se pavarësisë.

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se stagnimi ekonomik është pasojë e një mungese të një sistemi adekuat ekonomik, që nënkupton ligje që i përshtaten këtij mjedisi.

Për gjendjen aktuale ekonomike, thotë ai, një pjesë të fajit e bartë edhe klasa politike, duke filluar nga institucionet e larta qeveritare e deri tek ato komunale.

“Unë mendoj se rënia e investimeve direkte, qoftë të brendshme apo të jashtme, ka ardhur si pasojë e shkallës se lartë të korrupsionit dhe nepotizmit, formave të ndryshme të pengesave, qoftë ligjore apo tarifore për investitorët".

"Prandaj, unë mendoj se kjo qeveri dhe kjo klasë politike duhet të gjejë forma që të ndërtojë një sistem që do të absorbonte zhvillimin ekonomik, që nënkupton jo me një mentalitet të si deri më tani, jo me këta ekspertë të sotëm që gjenden në një rreth vicioz,“ ka thënë Berim Ramosaj.

Ajo që më se shumti është zhgënjyese gjatë kësaj periudhe, është rënia e investimeve të huaja, investime këto për të cilat është pritur se do të rriten pas shpalljes se pavarësisë.

Duke e quajtur shqetësues këtë fakt, profesori tjetër në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, Muhamet Sadiku, thotë se Kosova gjendet në një udhëkryq të tranzicionit sa i përket aspektit ekonomik.

“Që nga viti 2008, Kosova vazhdon të përfshihet në një trend të rënies së investimeve të jashtme dhe kjo është vërtet shqetësuese. Në të gjitha shtetet e rajonit kemi një fluks të rritjes se investimeve të jashtme, kurse në Kosovë po ndodh e kundërta".

"Kjo ndërlidhet me mjedisin jomiqësor për investime, kjo ndërlidhet me një qeverisje joefektive... situatë shqetësuese është edhe situata sociale. Do të thotë, çdo ngecje në zhvillimin ekonomik reflektohet në mënyrë shumë të ashpër në standardin e njerëzve”, ka thënë Sadiku, për Radion Evropa e Lirë.

Por, profesori Berim Ramosaj thekson se autoritetet kompetente duhet të krijojnë kushte dhe hapësirë që investitorët e huaj, por edhe ata vendorë, të kenë përfitime materiale më shumë se në vendet e rajonit.

“Në qoftë se një investitor mundet të fitojë [hapësirë] në vendin e tij, apo vendet tjera karshi Kosovës, apo fiton në nivel të barabartë, ai nuk vjen në Kosovë, duke marrë parasysh shkallën e sigurisë, problemet politike, shkallën e korrupsionit. Prandaj, mendoj se kjo është edhe terapia. Në vend, duhet të krijohet një situatë që bizneseve në Kosovë të iu mundësohet përfitim”, thekson Ramosaj.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku, thekson se është koha e fundit, që të vihet një fokus i ri në politikat e reja ekonomike, që për orientim kanë zhvillimin e sektorit privat me reformat strukturore dhe përmirësimin e mjedisit biznesor.

"Në këto tri rrafshe, Kosova duhet të bëjë ndryshime. Duhet të pranohet seKosova duhet të fuqizojë shtetin ligjor. Nëse fuqizohet shteti ligjor atëherë është e mundur që të bëhen këto ndryshime".

Ndryshe, Kosova shpesh është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për gjendje jo të mirë biznesore dhe mos siguri për investitorët ndërkombëtarë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG