Ndërlidhjet

Çështja e trafikimit me njerëz vazhdon të jetë shqetësim për disa nga institucionet e Kosovës, por edhe për organizatat që merren me mbrojtjen e këtyre viktimave.

Autoritetet e rendit në Prishtinë, thonë se gjatë muajve të parë të këtij viti janë identifikuar 11 viktima të trafikimit, me ç’rast janë arrestuar 81 persona të dyshuar si trafikantë.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se një nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme që dalin nga Ligji për Policinë është edhe luftimi i trafikimit me njerëz.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, ka ndërmarrë masa të rëndësishme në identifikimin e viktimave të trafikimit si dhe luftimin e kësaj dukurie".

"Janë realizuar edhe një numër i operacioneve policore, të cilat kanë pasur për qëllim arritjen e objektivave të parapara. Natyrisht çdo dukuri negative e cila është e dëmshme për shoqërinë paraqet një shqetësim dhe ne intensivisht punojmë për reduktimin e dukurive të tilla”, tha Hoxha.

Zëdhënësi Hoxha, tha se Policia e Kosovës ka realizuar operacione të përbashkëta policore në nivel rajonal dhe janë shënuar rezultate konkrete në arrestimin e personave të dyshuar dhe shkatërrimin e grupeve të ndryshme kriminale.

Ai tha se anëtarësimi i Policisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë si Europoli dhe Interpoli, do të ndihmonte më shumë luftimin e krimit të organizuar në përgjithësi dhe trafikimit me qenie njerëzore në veçanti.

Përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, Hamijete Dedolli, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e trafikimit me njerëz vazhdon të jetë një shqetësim dhe sfidë për Kosovën.

Sipas saj, vajzat e reja nga Kosova, janë viktima që mashtrohen nga trafikantët.

“Trafikimi me njerëz mbetet edhe me tej një shqetësim i madh, do të thotë vazhdon të jetë prezent edhe pas 15 viteve në Kosovë. Kosova tash më tepër është vend origjine për viktimat".

"Fatkeqësisht një numër shumë i madh i viktimave të trafikimit janë vajza të mitura dhe [qëllimi i trafikimit] vazhdon të jetë eksploatimi seksual”, tha Dedolli.

Dedolli ka kritikuar institucionet e Kosovës se nuk janë duke bërë sa duhet për viktimat e trafikuara sa i takon rehabilitimit dhe ri-integrimit të tyre.

“Mungojnë fondet nga qeveria, nuk ka asgjë në ri-integrimin e viktimave të trafikimit. Gjithmonë jemi bazuar në donatorë të huaj".

"Në rehabilitim ndihmon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me një përqindje. Mirëpo, ajo nuk mjafton për një qëndrueshmëri të shërbimeve. Pra, do të thotë për ri-integrim nuk punohet asgjë dhe pa dyshim që mund të ketë ri-trafikim”, tha Dedolli.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, viktimat e trafikimit që shfrytëzoheshin për qëllime seksuale, ishin nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa kohëve të fundit numri më i madh janë viktima nga Kosova.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare raportojnë se në Evropë trafikohen njerëz kryesisht për qëllim të shfrytëzimit seksual, apo të shfrytëzimit për punë e qëllime të tjera.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG