Ndërlidhjet

Shqipëria në "status-quo" për trafikimin me njerëz


Foto nga arkivi.

Foto nga arkivi.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore (TIP) për vitin 2015, Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar.

Në raport thuhet se ”bashkëpunimi i instancave zyrtare për krimet e trafikimit mbetet një shqetësim i rëndësishëm. Një pjesëtar i Parlamentit ka qenë i dënuar më parë për krime të lidhura me trafikun".

"Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë“.

Sipas raportit, Qeveria e Shqipërisë nuk ka raportuar asnjë hetim, ndjekje penale, apo dënim të zyrtarëve e qeveritarëve të përfshirë në veprat penale të trafikimit.

Me shqetësim raportohet se korrupsioni si dhe një sërë problemesh të tjera brenda radhëve të policisë e bëjnë të vështirë përballjen e rendit me këtë fenomen.

Gratë dhe fëmijët në Shqipëri, thuhet në raport, janë kryesisht objekt trafikimi seksual në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi, por edhe në vende të tjera evropiane.

Në raportin e DASH-it preket edhe problemi i lëmoshë-kërkuesve, që kryesisht janë fëmijë.

Një numër në rritje i fëmijëve shqiptarë, shpesh të etnisë rome ose egjiptase, janë objekt i punës së detyruar në Shqipëri si dhe në vendet fqinje: Greqi, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, thuhet në raport.

Një numër i grave të huaja nga vende evropiane, si Ukraina, Rusia, Britania dhe Norvegjia, janë objekt trafikimi seksual në Shqipëri.

Raporti rekomandon që Shqipëria të rrisë financimet për strehimin e viktimave të trafikimit dhe të vendos rregullisht në dispozicion fonde për këtë qëllim.

Po ashtu, thuhet që viktimat të mos ndëshkohen për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i faktit që kanë qenë objekt trafikimi.

Raporti rekomandon gjithashtu që të vazhdohen përpjekjet për kontrollin e fëmijëve të rrugëve që mund të bien lehtë pre e trafikimit.

XS
SM
MD
LG