Ndërlidhjet

"Lista Serbe do ta votojë amendamentin kushtetues që hap rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, por nuk do të votojë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, në formën që ekzistojnë propozimet tash për tash", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Stojanoviq, Qeveria e Kosovës tashmë ka thënë se do të procedojë përsëri amandamentin kushtetues që do t’i hapë rrugë formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. A do të votojë Lista Serbe “për” në qoftë se kjo çështje sërish do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës?

Branimir Stojanoviq: Që nga fillimi ne e kemi përkrahur këtë proces dhe në çdo rast kur na kanë pyetur se e përkrahim apo jo, ne kemi thënë po. Kështu do të jetë edhe tash, sepse këtu nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë asgjë në këtë kuptim. Përkrahja do të jetë si në Qeveri ashtu edhe në Kuvend.

Ne mendojmë se kjo është diçka që duhet të ndodhë dhe se kjo është e rëndësishme jo vetëm për të vërtetën dhe drejtësinë, të cilën e presin njerëzit dhe familjet e atyre që kanë pësuar, që të dinë se kush i ka bërë ato krime, të cilat pa diskutim që kanë ndodhur.

Por, po ashtu është e rëndësishme edhe për të ardhmen, për shkak se me këtë barrë që ekziston tash në shoqëri, është e pamundur që të shkohet në procesin e pajtimit të plotë të serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, si dhe është e pamundur që edhe situata në shoqëri të ndërtohet deri te pajtimi i plotë dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet popujve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Stojanoviq, ndryshimet kushtetuese do të nevojiten edhe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Lista Serbe, deri më tash, nuk është pajtuar për këto ndryshime. Cili do të jetë qëndrimi i Listës Serbe lidhur me këtë çështje?

Branimir Stojanoviq: Para së gjithash, mendoj se unë i jam qasur mjaft seriozisht kësaj teme dhe nganjëherë më shumë më përngjan në folklor politik se sa në qëllim serioz që kjo të ndodhë. Jo vetëm Lista Serbe, por edhe përfaqësuesit serbë në mandatin e kaluar, nuk i kanë mbështetur ndryshimet kushtetuese, që është dashur të sjellin deri te formimi i Ushtrisë së Kosovës, në formën, për të cilën edhe tash janë propozimet.

Para së gjithash, kërkohet një dialog serioz. Nëse dikush kërkon nga ne që të mbështesim diçka, atëherë duhet që të marrim pjesë në atë proces. Ndërkaq, në propozimin aktual, ka mjaft gjëra, me të cilat ne nuk pajtohemi. Siç thash, kur dikush me ne nuk bën dialog serioz, atëherë është e pakuptimtë që të pres mbështetjen tonë për diçka të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, cilat janë ato gjëra për të cilat nuk pajtoheni dhe cilat janë kushtet e Listës Serbe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës?

Branimir Stojanoviq: Ne asnjëherë nuk kemi bërë shantazh e as nuk kemi vendosur marrëdhënie me shantazh, ashtu siç kanë bërë disa të tjerë. Ashtu siç kemi dëgjuar që disa bashkësi pakicë kanë kërkuar dhe kanë kushtëzuar formimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e tyre për këtë, me formimin e disa komunave apo diçka tjetër.

Ne nuk jemi sjellë kurrë ashtu, pavarësisht që shpeshherë dëshirojnë që në opinion të na shfaqin si dikë që bën shantazh. Ne, në këtë kuptim, nuk kemi marrëdhënie me shantazh. Dëshirojmë që të bisedojmë për këtë dhe të shohim se çfarë është ajo që dikush dëshiron ta bëjë dhe pse dëshiron ta bëjë.

Një nga argumentet që për neve është telash, është fakti se sa do të kushtojë e gjithë kjo, sepse në këtë situatë kur një numër i madh i njerëzve jeton mjaft vështirë, e dimë se më së paku do të nevojitej shuma rreth 50 milionë euro që ajo (Forca e Armatosur e Kosovës) të formohet.

Nga cilat para do të bëhet kjo dhe si do të financohet? Ekzistojnë shumë pyetje të hapura. Ne kemi qenë gjithmonë për dialog, por në formën e tanishme, siç po propozohet, me siguri që nuk do ta mbështesim.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Stojanoviq, çështja e formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe është në paket me çështjet e telekomit, energjisë dhe lëvizjes së lirë. Deri ku është arritur me këto dhe a mund të llogaritet që këto çështje, në paket të zgjidhen së shpejti?

Branimir Stojanoviq: Mendoj se nuk ka nevojë që çështja e formimit të Bashkësisë të vendoset në paket me zgjidhjen e problemeve tjera, sepse këto temat tjera nuk kanë qenë subjekt i marrëveshjes së parë të Brukselit.

Por, konsiderojmë se duhet të zgjidhen të gjitha ato çështje të hapura dhe duhet të bisedojmë më tutje që përmes dialogut të zgjidhen problemet. Unë mendoj se nuk ka alternativë tjetër, përveç bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjeve, që asnjëherë nuk kanë qenë të lehta.

Po ashtu edhe zbatimet e atyre marrëveshjeve asnjëherë nuk kanë qenë të thjeshta. Bashkësia e Komunave serbe është çështja më e rëndësishme për serbët në Kosovës dhe ne do të insistojmë në atë që ajo të zbatohet ashtu siç është e paraparë me marrëveshjen e Brukselit, pavarësisht që mjaft njerëz po përpiqen ta frikësojnë, sidomos opinionin shqiptar, duke thënë se kjo do të jetë organizatë që, në njëfarë mënyre, do ta rrezikojë dikë në Kosovë.

Kjo, fare nuk është e saktë. Ne nuk dëshirojmë të krijojmë diçka që do të jetë e drejtuar kundër dikujt tjetër, por një organizatë që do të kapacitete të mjaftueshme t’ju ndihmojë serbëve dhe të tjerëve që të jetojmë më mirë. Është shumë e qartë që populli serb në Kosovë, sot është i rrezikuar dhe jeton në kushte mjaft të vështira, për shkak se edhe situata në Kosovë është përgjithësisht e rëndë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, pra, po e frenon formimin e kësaj Bashkësie dhe a ekzistojnë kërkesa specifike të Listës Serbe lidhur me Bashkësinë e Komunave serbe?

Branimir Stojanoviq: Siç duket, kjo qartësisht do të jetë një marrëveshje politike. Kur për këtë marrëveshje politike do të arrihet pajtimi në Bruksel, atëherë do të vazhdojë edhe zbatimi.

Ne, në mënyrë absolute e kemi idenë e qartë se çfarë duhet të qëndrojë edhe në statutin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe cilat kompetenca të drejtpërdrejta duhet t’i ketë. Por, bisedime serioze, para së gjithash, në nivelin e partnerëve, për këtë Bashkësi nuk ka pasur kurrë.

Tash, ai dialogu serioz, se si duhet të duket Bashkësia, po bëhet në nivelin e dy delegacioneve, të Beogradit dhe të Prishtinës, në Bruksel. Natyrisht, ne i kemi dhënë sugjerimet tona dhe në mënyrë aktive flasim për atë se çfarë duhet të ekzistojë. Por, siç duket, argumentet tona, para së gjithash, po i shpalosë delegacioni i Beogradit.

Ndërkaq, delegacioni i Prishtinës, deri më tash, nuk ka dëshiruar që argumentet tona t’i pranojë. Besoj se në qoftë se do të zhvillohej një dialog serioz në nivelin ndërmjet nesh, mendoj se edhe për Brukselin do të kishte punë shumë më pak.

Radio Evropa e Lirë: Këtë pyetje po e bëj për shkak se edhe më parë është thënë se Lista Serbe apo edhe pala e Beogradit po kërkon që Bashkësia e Komunave serbe të ketë një lloj të pushtetit të tretë në Kosovë. A është kjo e vërtetë?

Branimir Stojanoviq: Se si do ta formulojmë këtë, kjo para së gjithash është çështje për juristët. Por, mospajtimi themelor për ne është çështja se çfarë kapaciteti do të ketë. Dikush do të dëshironte që Bashkësia të ketë sot kompetenca të organizatës joqeveritare, ashtu siç është sot Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sikur të bisedonim për këtë, atëherë do të ngrihej pikëpyetja se pse fare kemi biseduar në Bruksel dhe pse është dashur të organizohen bisedimet, përderisa dikush dëshiron të bëjë diçka që ka ekzistuar dhe që ka qenë e paraparë. Do të thotë, është e nevojshme që ai institucion të ketë kapacitet më të madh.Madje shumë më të mëdha nga ajo për të cilën flet delegacioni i Prishtinës.

Ekzistojnë shumë çështje të hapura. Të katër fushat që i definon marrëveshja e Brukselit, që Bashkësia duhet të ketë kompetenca të drejtpërdrejta, janë ato specifikat dhe të veçantat për të cilat ne insistojmë, planifikimi hapësinor, rural dhe zhvillimi ekonomik. Cilat janë formulat dhe definicionet juridike për formësimin e gjithë kësaj, kjo është ajo për të cilën ne jemi të gatshëm të bisedojmë dhe asnjëherë nuk kemi thënë që jemi përjashtues dhe se kërkojmë që diçka të ketë vetëm një formë të caktuar.

Por, nuk dëshirojmë të pranojmë që Bashkësia të jetë një gëzhojë e zbrazët, e cila nuk do ta ketë asnjë kuptim, sepse kjo padyshim do të sjellë deri te zhdukja e plotë e serbëve nga Kosova. Mendoj se kjo nuk është në interesin e askujt dhe mendoj se është me interes që kjo të mbetet një shoqëri multietnike dhe të gjithë ata që jetojnë këtu, mund të kenë prosperitet të barabartë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG